Connect with us

Sport

Kombëtares kuqezi i mungojnë golat, por sulmuesit e harruar po shkëlqejnë

Shqipëria do të luajë në muajin tetor dy ndeshje, ku fillimisht do të përballet me Serbinë në kuadër të kualifikuesve të Botërorit, e më pas do të ketë në Tiranë një test miqësor kundër skuadrës së Jordanisë.
Ndryshe nga ndeshjet e shtatorit kur skuadra vinte me mungesa dhe me lojtarë të shumtë jashtë forme, në tetor pritet të jetë ndryshe duke qenë se që nga portierët që po luajnë titullarë, e deri te sulmuesit, kuqezinjtë po kalojnë një moment shumë të mirë duke marrë minuta dhe gjithashtu duke shënuar gola në mënyrë të vazhdueshme. Të shumtë janë edhe futbollistë shqiptarë që po kalojnë moment të mirë në Europë, e megjithatë nuk janë pjesë e Kombëtares, e ndoshta në ndeshjen ndaj Jordanisë, mund të kenë shansin e tyre për të treguar veten.
ANIS MEHMETI- Sulmuesi shqiptar që aktivizohet te Bristoli në Angli, ka qenë dhe mbetet një nga lojtarët më të përmendur në kohët e fundit. Pavarësisht formës që po kalon në Championship, ku po shënon në mënyrë të vazhdueshme, ftesa e Kombëtares i ka munguar. Mehmeti është gjithashtu një futbollist që e njeh mjaft mirë portën pasi këtë sezon e ka gjetur disa herë rrugën e rrjetës, duke e nisur aty ku e la sezonin e shkuar. Ndryshe nga Lushi që duhet të pritet nëse do të pranojë Shqipërinë apo jo, Mehmeti është i gatshëm që të luajë pasi në të kaluarën ka marrë minuta me fanellën kuqezi dhe me shumë gjasa, mund të ketë një ftesë për ndeshjet e tetorit.
TAULANT SEFERI- Sulmuesi nga Kumanova është rikthyer te forma e dikurshme në Ligën e Dytë turke, ku ka shënuar një dy golësh këtë javë në kampionat. Seferi ka qenë në të shkuarën pjesë e kuqezinjve, megjithatë në eliminatoret e Botërorit nuk është preferuar nga Silvinjo, që ka pasur të tjera zgjedhje në sulm, pavarësisht se në Kombëtare po mungon goli.
STATISTIKAT- Shqipëria po tenton të sigurojë vendin e dytë, çka do t’i jepte mundësinë të luante në “Play Off” të Kupës së Botës për të siguruar një vend në Botëror. Për ta bërë këtë, kuqezinjtë duhet të fitojnë fillimisht në Serbi, e më pas të mundin Andorrën në transfertë. Por, ajo që shqetëson më së shumti, është sulmi i Shqipërisë pasi mungojnë golat në këtë eliminatore. Kuqezinjtë kanë shënuar me pikatore, por kjo nuk është rastësi pasi edhe goditjet në portë, mungojnë shumë. Në statistikat e fundit, Shqipëria është një nga skuadrat që ka më pak goditje në kuadrat, gjë e cila çon edhe në thatësinë e golit.

Zyrtare/ Taulant Seferi transferohet te klubi i Su - Syri | Lajmi i fundit

Advertisement