Sport
Kombëtarja dhe pordhët shqiptare – Nga Edmond Arizaj
Ne harrojmë shpejt. Kujtesa jonë është si e peshqve. Një javë duke analizuar, debatuar, kritikuar, sulmuar, mallkuar, listën, apo mungesat në ekipin provizor thirrur nga Silvinjo. (1 milionë e ca trajnerë që mund të bënin më mirë se ky).
Ka dy gjëra shumë më madhore se disa të qejmbetur. Shqipëria është në Europian, në finalet e tij. Nuk jemi duke diskutuar se “për pak ia dolëm”, apo “vendi i tretë nga fundi është më i mirë se vendi i dytë nga fundi”, por po diskutojmë të kalojmë Italinë, Spanjën apo Kroacinë!!! Dhe kjo teorikisht duhet t’i bënte bashkë gjithë shqiptarët e shqipfolësit.
Kujt i thua! Do gjejnë një kleçkë me domosdo dhe me se s’bën do japin mendimin e tyre që kategorikisht është më i miri, më i sakti, dhe padiskutim më i arrirë se i Silvinjos. (Humels nuk u thirr në kombëtaren gjermane, por u mërzit vetëm mbrojtësi veteran, jo gjysma e Gjermanisë).
E bukura është kur komentuesit e rrjeteve sociale bëjnë ekspertin, ndërsa “ekspertët” nëpër studio e intervista bëjnë të irrituarin e rrjeteve sociale.
Uroj me shpirt që Shqipëria të bëjë një paraqitje më shumë se fantastike në Gjermani, jo vetëm për kënaqësinë e të gjithë shqiptarëve, për emrin, për të ardhmen, krenarinë, por andej nga fundi i listës, edhe për të mos patur mundësi që shpirtvegjlit të gëzohen e të nisin të shesin pordhë me tonë për “parashikimet” e tyre e gabimet e Silvinjos, e jo me kile si deri tani.
Forca Shqipëri! Forca djema! Forca Silvinjo!