Connect with us

Politike

‘Kompleksi Partizani’/ Kanë falsifikuar firmën – Flet Berisha…

Deklaratat e Edi Ramës dhe Yuri Kim për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Sali Berisha i cilëson si betejë të turpshme në një tragjikomedi të paimagjinueshme. Për të dy është i bindur se kanë  arsye të forta për të mbajtur nën autoritetin e vet institucionin më të lartë të hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke pretenduar se Edvin Kondili është preferenca e Edi Ramës për zëvendësuesin e Arben Krajës. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha u shpreh se ambasadorja amerikane nuk njeh kufi pasi sipas tij mbron në minumim dështimin e reformës në drejtësi.

Po ashtu pretendon se Kim mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri dhe sillet në këtë mënyrë pasi kryeministrin e ka peng me dosjen Edi Rama. Ish-kryeministri e ka fjalën për dosjen e inceneratorëve që e përmend thuajse në çdo dalje publike duke e cilësuar si aferë të madhe korruptive.

“Vijmë te tragjikomedia e paimagjinueshme që po ndodh me atë që duhej të ishte institucioni i shpresës së shqiptarëve, me SPAK-un. Kurrë në histori, as në romanet e Markezit, nuk mund të gjesh një betejë të turpshme midis një kryeministri dhe një ambasadori që me ligj nuk kanë asnjë lidhje me emërimin e kreut të SPAK-ut. Asnjë lidhje nuk kanë. Ç’punë ka një kryeministër se kush emërohet në krye të SPAK-ut? Ka vetëm dosjen e tij, sepse dosja e djegësave është dosje e një organizate kriminale, në të cilën ka firmosur Edi Rama.

Beteja është surrealiste. Nuk ndodh kurrë. Bota e krimit darkon dhe drekon me eksponentë të krimit të organizuar që është në parlament. Ky është asgjësimi si kurrë më parë i sistemit të drejtësisë. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur. Çfarë kujtoni se mbron ajo? Mbron në minumim dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri. Por mundet edhe më shumë. Ajo mbron mashtrimet që i ka bërë shefave të vet, ajo mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri. Ndaj dhe ajo nuk njeh kufi, ndaj edhe sillet. Po pse sillet në këtë mënyrë? Sepse e ka peng me dosjen Edi Rama”, tha Berisha.

Por i pyetur nga Report Tv se nëse rritja e dozave të akuzave është frikë e ish kryeministrit për çështje të nxehta që e implikojnë atë, qeverinë e drejtuar prej tij dhe familjarët si dosjet Gërdeci apo Ish kompleksi Partizani, Berisha i bën një sfidë të hapur drejtësisë duke thënë se mund të hetojnë 1000 herë dhe sërish nuk do të gjejnë shkelje.

Edhe për dëshminë e Aldo Bumçit në SPAK për tragjedinë e Gërdecit ka bërë një koment duke mbajtur të njëjtin qëndrim si ish-ministri se shkresa me shkrim dore për Shkëlzen Berishën e falsifikuar. Sipas Berishës, është bërë manipulim për ta implikuar së bashku me të birin. Ndonëse nuk jep detaje, thotë se e di me emër e mbiemër se kush e ka falsifikuar shkresën.

Në konferencën për shtyp, Berisha foli edhe për një krisje të marrëdhënieve mes Ramës dhe kreut të SHISH Helidon Bendos. Për këtë të fundit supozon se Rama nuk e lë të futet në zyrën e tij pasi ka përfunduar trajnimin në SHBA.

Berisha: SKAP le ta hetojë 1000 herë kompleksin Partizani, nuk do gjejë kurrë shkeljen më të vogël ligjore

Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes për presionin mbi SPAK duke thënë se mund të zhvillohen hetime vazhdimisht për kompleksin Partizani, por nuk do gjejnë shkelje.

“Kam përkufizimin tim për SKAP por s’më ke dëgjuar kurrë të qortoj për hetime, por nuk mund të mos e demaskoj kur merr një dekret të nënmbretit, e dorëzon për hetim, konstaton që asnjë nga ato emra që ndodhen në dekret s’duhet t’i përkasin zonës së klubit Partizani. Atij për korrektesë ligjore i takon të hapë cështje penale. Le ta hetojnë 1000 herë kompleksin Partizani, kurrë nuk do të gjejnë shkeljen më të vogël ligjore. Po të kishin gjetur, unë jam në një hetim intensive ndërkombëtar por që fakt që tregon se akti ndaj meje është i turpshëm”, tha Berisha.

Advertisement