Connect with us

Aktualitet

Komuna e Prishtinës nderon me Çmimin e Mirënjohjes CEO-n e SIGAL, z. Avni Ponari

Sot, CEO-s së SIGAL Insurance Group, z. Avni Ponari, në shenjë nderimi e mirënjohjeje për kontributin në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore në qytetin e Prishtinës dhe në Kosovë, iu dha Çmimi i Mirënjohjes.

Këtë çmim nderues, zotit Ponari, ia dorëzoi përmes një pritjeje të ngrohtë kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.

  1. Rama shprehu vlerësime të larta për kontributin e z. Ponari në jetën ekonomike, qytetare dhe kulturore të Kosovës dhe përcolli nderimet e tij në emër të kryeqytetit.

Në tregun e Kosovës, SIGAL Insurance Group, e themeluar nga z. Avni Ponari në vitin 1999, hyri në tetor të vitit 2003. Asokohe nisi veprimtarinë përmes dy kompanive të sigurimit: e para në fushën e Jo jetës dhe tjetra në sigurimet e jetës.

SIGAL, prej atëherë, ka rritur praninë në tregun e sigurimeve në Kosovë dhe është pozicionuar ndër liderët e këtij sektori.

Vetëm pak vite pas hyrjes në tregun e sigurimeve të Kosovës, SIGAL u konsolidua si një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve, duke ruajtur në mënyrë të vazhdueshme në një mjedis konkurrues rreth 15% të vëllimit të tregut vendor.

Ky sukses ka qenë rezultat i përkushtimit ndaj cilësisë së shërbimit, menaxhimit efikas të riskut dhe përgjegjshmërisë ndaj klientit.

Rruga drejt këtij suksesi u drejtua nga vizioni dhe lidershipi i z. Ponari, i cili ka kapërcyer sfida të shumta për të krijuar një nga grupet më të avancuara të sigurimeve në rajon.

Sot, SIGAL Insurance Group numëron mbi 2000 punonjës dhe agjentë, me një rrjet prej më shumë se 1000 zyrash që operojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke ndërtuar një reputacion të fortë dhe duke fituar besimin e mijëra qytetarëve.

Një nga vlerat themelore që ka shoqëruar kompaninë që nga fillimet e saj ka qenë besueshmëria, e forcuar hap pas hapi përmes pagesave në kohë të dëmeve ndaj klientëve të saj.

Përgjatë viteve, performanca dhe angazhimi i SIGAL janë vlerësuar në nivel ndërkombëtar nga institucione prestigjioze si Business Initiative Directions, South-East Europe News, Finance Central Europe dhe të tjera. Vlerësime këto që konfirmuan reputacionin dhe integritetin profesional të kompanisë në arenën ndërkombëtare të sigurimeve.

Përveç rolit të saj ekonomik, SIGAL Kosova ka treguar një përkushtim të vazhdueshëm ndaj përgjegjësisë shoqërore, duke mbështetur projekte në sport dhe kulturë, me fokus të veçantë në basketbollin dhe kinematografinë kosovare.

Mbështetja e ekipit të basketbollit SIGAL Prishtina, i cili ka fituar një numër të konsiderueshëm titujsh kombëtarë dhe rajonalë, është dëshmi e angazhimit të kompanisë për të kontribuar në zhvillimin e talenteve të reja dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në garat ndërkombëtare.

Gjithashtu, SIGAL ka qenë për një periudhë të caktuar edhe sponsor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke dhënë kontribut në zhvillimin e futbollit vendor dhe përkrahjen e sportit në përgjithësi në vend.

Për të gjitha këto kontribute, Komuna e Prishtinës vendosi ta vlerësojë sot z. Ponari me çmimin e Mirënjohjes duke lënë hapur një herë e përgjithmonë mundësinë e forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit të frytshëm.

 

Advertisement