Aktualitet
Koncesioni i Rinasit; terminal i mbingarkuar, çmime të kripura dhe fitime marramendëse
Aeroporti ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ në Rinas, koncesioni që u zgjat me 13 vjet pa garë nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, njoftoi pak ditë më parë udhëtarët që të paraqiten në terminal tre orë para fluturimit. Por ndërsa qytetarët udhëtojnë në mjedise të mbingarkuara, kompania koncesionare depozitoi raportin vjetor financiar në QKB, ku tregohet se fitimet neto të saj arritën në shifrën marramendëse prej 31 milionë eurosh, gati tre herë më shumë se sa kapitali aksioner.
“Tirana International Airport” Sh.p.k, kompania koncesionare që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, rriti të ardhurat e veta në nivelin rekord prej 8.3 miliardë lekësh ndërsa realizoi fitime neto prej 3.1 miliardë lekësh gjatë vitit 2022, bëhet e ditur nga të dhënat financiare të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Sipas të dhënave, kompania rriti të ardhurat me 48% duke përfituar nga shtimi i volumit të fluturimeve ndërsa fitimet u rritën me 87%. Sipas vendimit të aksionerit të vetëm, Shefqet Kastrati, 27 milionë euro nga fitimet neto të vitit 2022 kalojnë si divident për pronarin ndërsa 2.4 milionë i lihen kompanisë.
Të dhënat historike financiare të kompanisë tregojnë se shqiptarët kanë paguar mes viteve 2009 dhe 2022 mbi 600 milionë euro për menaxhimin e aeroportit ndërsa aksionerët e ndryshëm të kompanisë kanë fituar gjatë kësaj periudhe gati 190 milionë euro.
Shefqet Kastrati është pronari i shumë kompanive me aktivitete në fusha të ndryshme, nga tregtia e karburantit te turizmi apo ndërtimi. Përveç koncesionit të aeroportit të Rinasit ai kontrollon dhe kontratëm e koncesioneve të të autostradës Rrëshen-Kalimash, si dhë është i lidhur me kompaninë që ka marrë në koncesion aeroportin e Kukësit.
Çmime të larta, shërbim i mbingarkuar
Qeveria socialiste e ish-kryeministrit Fatos Nano nënshkroi kontratën e parë koncesionare të aeroportit me një konsorcium të përbërë nga dy kompani gjermane dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve. Kompania u shit disa herë dhe aksionerët e saj dolën vazhdimisht me fitime të stërmëdha, pasi investuan një kapital themeltar minimal prej më pak se 10 milionë eurosh, ndërsa paguan me kredi dhe me të ardhurat investimet për ndërtimin e një terminali të ri.
Të ardhurat dhe fitimet e kompanisë u rritën në mënyrë progresive ndërsa shqiptarët fituan të drejtën për të lëvizur pa viza në zonën Shengen dhe numri i turistëve të huaj u rrit gradualisht. Në vitin 2010, të ardhurat e kompanisë ishin 4.1 miliardë lekë ndërsa fitimet ishin 1.2 miliardë. Në vitinn 2015, të ardhurat u rritën në 4.9 miliardë ndërsa fitimet arritën në 1.6 miliardë.
Kompania nuk pësoi vit me humbje as në vitin 2020, vit kur për pjesën më të madhe të kohës, fluturimet ajrore u pezulluan për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Sipas të dhënave financiare, aeroporti i Rinasit pati 3.2 miliardë lekë të ardhura dhe 529 milionë lekë fitime.
Në të njëjtën kohë, një kompani kineze që e kishte blerë aeroportin më parë, vendosi ta shesë atë të kompania Kastrati për 70 milionë euro. Blerja shkaktoi çudi për shkak se kontrata koncesionare mbaronte në vitin 2027, sipas një shtese kontrate të bërë nga qeveria “Rama”.
Por menjëherë pas blerjes, qeveria “Rama” propozoi në Kuvendin e Shqipërisë zgjatjen e kontratës së koncesionit në 35 vjet, zgjatje kjo që u bë pa garë dhe në dëm të interesave të qytetarëve, të cilët janë teorikisht pronarë fundorë të aeroportit.
Ndërsa numri i udhëtarëve u rrit, kompania koncesionare duket se ka bërë investime të pamjaftueshme për të përballuar fluksin shtesë ndërsa pak ditë më parë, njoftoi udhëtarët se duhej të paraqiteshin tre orë para fluturimit, nga dy orë që është standardi normal kudo nëpër botë.
Koncesioni aktual skadon në vitin 2039. Sipas normës aktuale të fitimeve, shtesa e kontratës së miratuar nga maxhoranca socialiste do t’i kushtojë shqiptarëve edhe minimalisht 500 milionë euro të tjera./BIRN