LAJMI I FUNDIT
Koncesioni i sterilizimit/ Beqaj sërish në SPAK për udhëtimet në Itali me Klodian Rjepaj e Rrapaj
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja do të ripyete sërish në SPAK për koncesionin e sterilizimit. Në dyert e prokurorisë së Posaçme do të pritet të mbërrijnë edhe 4 ish-zyrtarët e tjerë për të cilët gjykata ka sugjeruar hetimet. Beqaj do të pyetet në lidhje me udhëtimet që ka kryer në drejtim të Italisë dhe Vjenës me ish-zëvëndësin e tij Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi Koncesionin për sterilizimin e seteve kirurgjikale, mëson gazetarja e NTV.AL. Sa i përket njohjes së tij me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini, ish-ministri i Shëndetësisë thotë se i ka njohur pasi mori detyrën dhe kontratat me ta i ka firmosur për nevoja pune.
“Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qënë edhe Admir Daca. Mundet. E kam njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën”, shkruan Beqaj në një reagim dje në facebook.
Beqaj deklaronte se ishte e nevojshme krijimi i një operatori të vetëm për të bërë sterilizimin e pajisjeve mjekësore, pasi centrali i sterilizimit në QSUT nuk mbulonte nevojat për të gjitha spitalet në vend. Qëllimi kryesor, sipas tij, ishte ndalimi i rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyrja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme. Sipas Beqajt, koncesioni i sterilizimit solli ndryshim në kirurgjinë shqiptare, pasi sipas tij, në vitin 2014 nuk kishin as dijet dhe as paratë për të bërë të vetëm një sipërmarrje të tillë. Ai shkruan se kontrata e partneritetit publik-privat për sterilizimin ka bërë që në sallat e kirurgjisë të spitaleve publike shqiptare të ulet ndjeshëm infeksioni spitalor dhe të ulet me të paktën 1,8 ditë ditëqëndrimi i një pacienti në spital. Prej 17 gushtit të arrestuar me masë sigurie burg janë ish zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, ndërsa 6 të tjerë janë në hetim në masa sigurie ‘arrest me shtëpie’ ose ‘detyrim me paraqitje’