Rajon
Konfiskimi i armëve në Serbi, ndizen protestat kundër Vuçiç
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka kërkuar një reduktim prej 90% të armëve të zjarrit në qarkullim pas të shtënave masive radhazi javën e kaluar.
Oficerët e policisë në Serbi po vendosen në të gjitha 1,800 shkollat në vend ndërsa nxënësit kthehen në mësimet e rregullta pas të shtënave masive të javës së kaluar. Më shumë se 2,000 oficerë po caktohen për të patrulluar brenda dhe përreth ndërtesave të shkollave.
Vuçiç ka kërkuar gjithashtu një ulje prej 90% të armëve të zjarrit në qarkullim: Masat janë të tilla që nesër do të fillojmë të konfiskojmë armët e zjarrit të paligjshme. Njerëzit kanë një muaj kohë për të dorëzuar armët dhe municionin pa pasoja. Askush nuk do të pyesë se si i keni marrë këto armë. Thjesht dorëzojini ato. Kjo është e gjitha.
Gjatë javës që lamë pas, një djalë 13-vjeçar mori armët e babait të tij dhe hapi zjarr në shkollën që ai ndoqi në zemër të Beogradit, duke qëlluar mbi bashkëmoshatarët e tij dhe duke vrarë shtatë vajza, një djalë dhe një roje shkolle.
Fajësimi i mediave dhe politikës
Të shtënat radhazi kanë shkaktuar thirrje për të inkurajuar tolerancën dhe për të çliruar shoqërinë nga gjuha e përhapur e urrejtjes dhe një kulturë e armëve që buron nga luftërat e viteve 1990.
Mijëra njerëz marshuan në heshtje të hënën në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në një derdhje të madhe pikëllimi dhe zemërimi kundër reagimit të qeverisë ndaj të shtënave.
Protestat u thirrën nga partitë opozitare, të cilat kërkuan dorëheqjen e ministrave të qeverisë dhe tërheqjen e licencave të mediave kryesore të kontrolluara nga shteti që promovojnë dhunën.