Bota
Konflikti i përgjakshëm Palestinë-Izrael, Shqipëria operacion evakuuimi
Pas tensioneve në rritje, Shqipëria ka ndërmarrë një operacion për të evakuuar shqiptarët që ndodhen në Izrael. Në në njoftim zyrtar bëhet me dije se po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e punonjësve, familjarëve, ambasadës si dhe për shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. ‘Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë’, thuhet në reagim. Militantët palestinezë të Hamasit sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës më 7 tetor – gjë që nxiti reagimin e menjëhershëm të ushtrisë izraelite me sulme ajrore. Zyrtarët në Izrael raportuan për më shumë se 600 njerëz të vrarë, ndërsa ata në Rripin e Gazës thanë se së paku 370 veta janë vrarë dhe mbi 2.000 të tjerë janë plagosur në konfliktin që vazhdon. Sot në mbrëmje ka mbërritur avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës. Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë. Pasagjerët janë pritur dhe përshëndetur nga Ministri Igli Hasani. Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.