Rajon
Kongresistja Tenney: Trump më tha “e dua shumë Serbinë, do ta vizitojë ndonjë ditë

Kongresistja amerikane, Claudia L. Tenney, e cila të mërkurën u dekorua me Urdhrin e Flamurit serb nga ana e presidentit të Sebrisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media, ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përshëndetur Serbinë dhe se shpreson që të vizitojë Beogradin një ditë.
“Ai po më fliste për diçka tjetër dhe më pyeti: Ku je? I thashë që jam në Serbi dhe tani po e citoj saktë atë që më tha: E dua shumë Serbinë, përcill përshëndetjet e mia dhe thuaj se shpresoj që do të vij për ta vizituar një ditë, shpresoj tani kur të vijë ambasadori i ri”, ka thënë Tenney.
Vuçiç, të mërkurën, pasi e dekoroi Tenneyn, falënderoi këtë të fundit për mirëkuptimin e nevojës së respektimit të drejtave të serbëve në Kosovë si dhe për kritikat e saj ndaj veprimeve, sipas tij, të njëanshme të Kosovës
Vuçiç, vlerësoi jashtëzakonisht shumë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plot në Bashkimin Evropian.
“Është nder për mua që sot t’ju falënderoj për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes angazhimit tuaj të fuqishëm në Kongresin amerikan”, tha Vuçiç.

