Connect with us

Bota

Kontrolle dhe sekuestrime në zyrat e partisë së Marine Le Pen, hetime mbi financimin e paligjshëm të fushatave të saj

Një hetim po zhvillohet në selinë e partisë franceze të ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN), si pjesë e një hetimi mbi financimin e paligjshëm të fushatave të saj zgjedhore të viteve 2022 dhe 2024.

Presidenti i RN, Jordan Bardella, u shpreh përmes një postimi në “X” se “rreth njëzet oficerë të policisë financiare” dhe “dy hetues” janë në selinë e partisë në Paris.

Zyra e prokurorit të Parisit konfirmoi informacionin dhe sqaroi se në të njëjtën kohë u kryen edhe kontrolle të tjera në kompani dhe shtëpitë e drejtuesve kryesorë.

Bardella tha se të gjitha emailet, dokumentet dhe të dhënat e kontabilitetit u sekuestruan, ndërsa zyrat e drejtuesve të partisë u kontrolluan.

“Të gjitha dosjet që lidhen me fushatat e fundit (zgjedhore) për zgjedhjet lokale, presidenciale, parlamentare dhe evropiane janë sot në duart e drejtësisë”, shtoi eurodeputeti, duke pretenduar se ky ishte një pretekst për të kontrolluar zyrën e tij.

Në korrik 2024, u nis një hetim paraprak pasi u ngritën dyshime për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore të Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2022 që pasuan, si dhe në zgjedhjet evropiane të vitit 2024.

Hetimet do të përcaktojnë nëse këto fushata u financuan falë kredive të paligjshme nga individë nga të cilat përfitoi partia ose kandidatët e Tubimit Kombëtar, si dhe nga çmimet e tepërta të shërbimeve ose nga shërbime fiktive për të cilat më pas u kërkua kompensim nga shteti, si shpenzime fushate, njoftoi zyra e prokurorit.

Bardella gjithashtu e përshkroi si një “farsë” faktin se “ata dyshojnë se aktivistët tanë ushtrojnë në mënyrë të paligjshme profesionin e bankierit”, të cilët “i japin hua RN në mungesë të një banke të gatshme ta bëjë këtë”.

Hetimi bazohet në një raport të Komisionit Kombëtar për Financimin Politik (CNCCFP) mbi kreditë e dhëna nga individë për Tubimin Kombëtar.

Kredi të tilla lejohen, në kushte të caktuara dhe deri në një kufi, por RN “është partia që i ka përdorur ato më shumë”, shpjegoi presidenti i Komisionit, Cristian Sarpi, në fillim të korrikut.

Në vitet e fundit, financimi i partisë ka ardhur kryesisht nga kredi të tilla: 613 në vitin 2021, nga një total prej 764, 425 në vitin 2022 (nga një total prej 492) dhe 96 në vitin 2023, nga një total prej 123.

Në fund të vitit 2023, RN kishte borxhe të papaguara ndaj individëve prej 20 milionësh, dhe më e vjetra nga këto kredi ishte nga viti 2007. “Është thelbësore që këto kredi të shlyhen, përndryshe ato konsiderohen donacione të maskuara”, shpjegoi Charpi.

Marine Le Pen është dënuar në Francë në një rast tjetër, për keqpërdorim të fondeve evropiane, dhe iu dha një heqje pesëvjeçare e të drejtave politike. Ajo ka apeluar, por nëse nuk shfajësohet nga Gjykata e Apelit, Bardella mund të zërë vendin e saj si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Gjykata e Apelit e Parisit është zotuar të shpallë vendimin e saj në verën e vitit 2026.

Advertisement