Kosova
Konvertimi i targave ilegale, Selimi: Beogradi kishte nevojë për…
Pas një refuzimi kategorik për të zbatuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato shtetërore, gjë për të cilën pati edhe përkeqësim të situatës në terren, serbët e Kosovës në ditët e fundit po krijojnë kolona të gjata para Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve për t’i ri-regjistruar makinat e tyre me targa që përmbajnë siglën e shtetit të Kosovës.
E arsye e një vendimi të tillë të serbëve, sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, nuk ka të bëjë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, por me nevojën e Beogradit zyrtar për t’u dukur më konstruktiv në raport me normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
“Dikush në Beograd kishte nevojë për këtë, ndoshta për të parandaluar sanksionet e lidhura me Banjskën”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.
Vetëm gjatë javëve të fundit, mijëra serbë të Kosovës i kanë regjistruar automjetet, duke hequr dorë nga targat ilegale serbe, derisa numri i qytetarëve serbë që kanë zgjedhur t’i konvertojnë targat nga ilegalet në RKS (Republika e Kosovës), ka shkuar në mbi 4 mijë – ka njoftuar Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për konvertimin e targave ilagale serbe deri me 15 dhjetor për shkak të interesimit të madh të qytetarëve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, për të kaluar nga targat ilegale serbe të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në targat legale të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Po, pse në këtë fazë, serbët vendosën t’i binden urdhrit të Qeverisë së Kosovës në çështjen e targave?
Analistët kanë mendime të ndryshme dhe disa nga ata vlerësojnë se serbët po e bëjnë këtë me zor, e disa me qejf.
Rritja e interesimit të serbëve për ri-regjistrimin e automjeteve të tyre, beson analisti nga Veriu i Kosovës, Branislav Krstiç, është pasojë e krijimit të një “shteti policor” nga ana e Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit.
“Serbët nga Veriu prej vitesh janë viktima të vendimeve të njëanshme të Beogradit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare. Fakt është se pronarët e automjeteve me targa KM nuk do të mund të kalojnë kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nga fillimi i vitit të ardhshëm. Qytetarët nga Veriu janë të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë” – ka pohuar Krstiç
Nga ana tjetër, Rada Trajkoviç, këshilltare politike e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, beson se vendimi i serbëve për t’i konvertuar targat e tyre, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, simbolizon vendosmërinë e tyre për të qëndruar në Kosovë dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.