Connect with us

Bota

Koreja i dërgoi ushtarë Rusisë/ SHBA: Zhvillim i rrezikshëm

Uashingtoni është “tejet i shqetësuar” nga lajmet se ushtarët koreanoveriorë janë dërguar për të luftuar përkrah trupave ruse në Ukrainë, edhe pse deri tani nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë këto pretendimet të Koresë së Jugut dhe Ukrainës, tha zëdhënësi amerikan Sean Savett të shtunën.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga raportimet se ushtarët e [Koresë së Veriut] po luftojnë për Rusinë”, tha Savett, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

“Ne nuk jemi në gjendje ta vërtetojmë nëse këto lajme janë të sakta, por nëse janë, ky do të ishte një zhvillim i rrezikshëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, shtoi ai.

Savett tha se një veprim i tillë do të “tregonte dëshpërimin e rritur të Rusisë” pasi ajo po pëson “humbje të jashtëzakonshme në fushëbetejë në luftën e saj brutale kundër Ukrainës”.

“Nëse Rusia është vërtet e detyruar t’i drejtohet [Koresë së Veriut] për t’i kërkuar ushtarë, kjo do të ishte një shenjë dëshpërimi, jo force, nga ana e Kremlinit”, tha Savett.

Rusia ka pësuar humbje të mëdha prej kur e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 202, për të cilin thuhet se shumë zyrtarë në Kremlin prisnin se do të zgjaste vetëm disa ditë. Burime të Qeverisë amerikane thonë se Rusia ka pësuar më shumë se 1.200 viktima në ditë në muajt e fundit.

Koreja e Jugut më 18 tetor pretendoi se Pheniani filloi të dërgonte forca speciale në Rusi në fillim të këtij muaji, disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një akuzë të ngjashme se Koreja e Veriut kishte dërguar ushtarë dhe armë për ta mbështetur Kremlinin në luftën e tij kundër Ukrainës.

 

“Ushtarët koreanoveriorë të dërguar në Rusi janë aktualisht të vendosur në bazat ushtarake ruse në Lindjen e Largët, duke përfshirë Vladivostok, Usurisk, Habarovsk dhe Blagoveshçensk, dhe pritet të vendosen në vijat e para sapo të përfundojnë trajnimin e përshtatjes”, tha Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare së Koresë së Jugut.

Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës më 18 tetor e postoi një video për të cilën tha se shfaqte trupat koreanoveriorë duke u përgatitur në terrenin stërvitor Sergievski të Rusisë, për t’u zhvendosur në Ukrainë.

Videoja nuk mund të verifikohej menjëherë në mënyrë të pavarur.

Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e Koresë së Jugut në të kaluarën se Pheniani e ka furnizuar Moskën me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Por, Kremlini nuk ka komentuar mbi pretendimet e fundit nga Seuli dhe Zelensky, i cili më 14 tetor tha se “tani nuk bëhet fjalë vetëm për transferimin e armëve. Në fakt, bëhet fjalë për transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut në forcat ushtarake okupuese”.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në Bruksel më 18 tetor, tha se aleanca ushtarake nuk mund të konfirmonte lajmet se trupat koreanoveriorë janë “aktivisht të angazhuar” në konfliktin në Ukrainë.

Advertisement