Aktualitet
Korrupsioni/ Skandali i NATO-s ngre pikëpyetje për kontratat e armëve në Tiranë
Në Bruksel ka plasur një skandal që po trondit një prej institucioneve më të blinduara të Perëndimit, Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s. Pasojat e hetimit bien mbi Elbit Systems, gjigandi izraelit i industrisë së armëve, i cili së fundmi është bërë edhe partneri më i ri në biznes i qeverisë shqiptare. Edhe një herë tjetër, të krijohet përshtypja se Shqipëria hyn gjithmonë në skenë pikërisht në momentin kur korrupsioni del në shesh.
Pra, ndërsa NATO dyshon për ryshfet dhe shpërdorim detyre në nivel shumë të lartë, Shqipëria sapo ka lidhur kontrata disa qindra miliona euro me të njëjtin partner.
Procesi i lidhjes së kontratave në vendin tonë nuk ka qenë i hapur dhe as i debatur në Kuvend apo i analizuar nga ekspertët. Ka mjaftuar një marrëveshje e heshtur, e futur në arkivë me firmën e Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe e shfaqur më pas vetëm si një “memorandum miqësor”.

Pak kohë më parë media izraelite Haaretz raportoi se Elbit ka siguruar nga qeveria shqiptare një kontratë shumë milionëshe që përfshin furnizim me artileri, murtaja, dronë dhe ngritjen e një qendre aviacioni në Vlorë. Shifra varion nga 400 deri në 600 milionë euro, madje disa e çojnë drejt shumës një miliard. Rrethanat lënë hapësira për dyshime: qeveria shqiptare ka hyrë në një nga marrëveshjet më të mëdha të mbrojtjes që ka nënshkruar ndonjëherë, dhe e ka bërë këtë me një kompani që sapo është pezulluar nga pjesëmarrja në tenderat e furnizimit të NATO-s.

Në mes të gjithë kësaj historie qarkullon një emër që nuk është i panjohur në Tiranë: Ron Yeffet, biznesmeni izraelit, i njohur si një prej miqve më të afërt të kryeministrit. Pikërisht Yeffet është njeriu që ka hyrë fuqishëm në industrinë e re të armëve të Shqipërisë përmes ortakërisë me KAYO, kompaninë shtetërore të ngritur nga qeveria dhe drejtuar nga Ardi Veliu, nga automjetet e blinduara te armët e kalibrit të vogël, nga dronët te prodhimi i municioneve.

Ndërkohë paratë kanë nisur të qarkullojnë. Vetëm këtë vit janë bërë pagesa prej mbi 10 milionë euro për një nga kompanitë e ortakërisë KAYO, Timak Defence. Të tjera pagesa pritet të vijnë, ndërsa qeveria po përgatit një skemë financimi me garanci sovrane për të mbuluar faturën e Elbit
Ndoshta askush nuk pret më që qeveria shqiptare të jetë më transparente se NATO, por kur kryeministri përfshihet vetë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës me një kompani që pak muaj më vonë pezullohet për shkak të një hetimi ndërkombëtar për korrupsion, duket sikur historia po përsërit veten.
Analogjia është tek takimet e fshehta me Charles McGonigal, para se FBI ta shpallte fajtor për tradhti apo tek miqësia politike me Federica Mogherinin, para se Prokuroria Evropiane ta niste nën akuzë për korrupsion. I njëjti model “miqësie” del sa herë kryeministri Rama ndërton marrëdhënie të ngushta me ndonjë të huaj, që nuk zgjat shumë dhe rezulton pas ndonjë afere korrupsioni, një hetimi apo skandali ndërkombëtar./Lapsi.al