OPINION
“Kosharja, mposhti atë ushtrinë hyjnore”/ Reagimi i plotë i deputetit Hisen Berisha

Fjala e përfaqësuesit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetit Hisen Berisha, në seancën solemne kushtuar 25 vjetorit të Betejës së Koshares.
E nderuara, Zonja Presidente!
I nderuar, Z. Kryetar i Kuvendit dhe ju kuvendar!
I nderuar, Z. Kryeministër e Ministra!
Të nderuar, Kryetar të Komunave!
Të nderuar, Shkelqësi Diplomat të akredituar në Republikën e Kosovës!
Përfaqësues të Organizatave të Luftës!
Me konsideratë të veçantë të nderuar/a familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë
dhe vëllezër të armës!
I nderuar Komandant i Brigades 138 “Agim Ramadani” dhe drejtues i luftës së
lavdishme të Kosharës Gjeneral, Rrustem Berisha,
Të dashur qytetarë!
Jam i nderuar që në emrin tim dhe të deputetëve të GP të PD, të lidershipit të saj, ne që jemi këtu dhe të liderëve që po mbrojnë identitetin e pastërtinë e luftës dhe shtetit tonë – Republikës së Kosovës, në Hagë, të përkujtoj dhe flas për përvjetorin Jubilar të Betejës së Lavdishme të UÇK, në Kosharen e nderit dhe të lavdisë së heronjëve të saj.
Beteja e Kosharës i dha një dimension të sigurt fitores së lirisë, ndaj krimit shtetëror dhe barbarisë serbe mbi shqiptarët – dhe për t’i hapur rrugën pavarësisë së shtetit tonë të dashur, Kosovës.
Kosharja, mposhti atë “ushtrinë hyjnore” sic e cilësonte regjimi i Millosheviqit, duke ia marrë që në sulmin e parë Kazermën Ushtarake të Koshares, për të vazhduar me luftimet edhe për atë në “Qafë Morinë”, ndërkohë që shumë më herët qysh në shtatorin ‘98 tërësisht ishte neutralizuar Kazemra
“Vujinoviç” në Trekufi. Po kështu, me vendosmërinë e pakthyeshme të luftëtarëve tanë, ishte neutralizuar edhe posta ushtarake verore “7 Korriku” në drejtim të Hasit të Gjakovës e Kukësit.
Kosharja, në aspektin juridik – ndërkombëtar rrënoi “me forcën e armës” komponentën kryesore të shtetësisë së dhunshme dhe terrorizuese të Jugosllavisë, KUFIRIN, që ndau që ndaupadrejtësisht shqiptarët, por pa arritur asnjëherë të fshijë idealin pasi terrori shtetëror nuk e mund asnjëherë frymën dhe shpirtin e lirisë. Kjo frymë jeton në shpirtin dhe zermrat e etërve tanë, jeton edhe në ne. Do të jetojë edhe tek fëmijët tanë.
Shkelja e gurit të kufirit, nga “kemba lutëtarit të UÇK”, ishte shkelje në padrejtësi historike. Duke shkelur kufirin, aty ku mbeten të vrarë qindra shqiptarë ndër vite, vramë iluzionin e kriminelit Millosheviq dhe të gjithë ndjekësve të tij se do të mund të mbante ende ëndrrën gjallë, për të vazhduar të vrasë dhe dëbojë popullsinë civile shqiptare nga vatrat e tyre.
Kosharja, dinamizoi dhe rivitalizoi forcën e UCK-së si “feniks”, që me beteja po mbillte lirinë në çdo shpirt, dhe pëllëmbë toke, të Kosovës.
Kosharja, i dha hapësirë krahut të shqiponjës mbi Pashtrikun e lashtë, nëjëtë si një qenie mitike, duke bërë të mundur prekjen reale të fitorës që po mbështetej fuqishëm nga aleatët e shqiptarëve dhe të Kosovës, në krye me SHBA.
Kosharja, kurorëzoi sakrificën e Adem Jasharit dhe guximin e përkushtimin e 500 djemve që na erdhën nga Drenica në vijën e frontit dhe mbi 2000 luftëtarëve nga të gjitha trevat e shqiptare, nga katër anët e botës. I kujtjmë me nderim e respekt edhe luftëtarët e heronjtë e popujve liridashës si, Michael Valter Spath që mban titullin heroit, ”Adem Jashari për trimëri”, Francesco Giuzepe Bider, Pierr Arnold Paillard, Murad Muhamed Ali, të cilët ranë deshmorë dhe prehen sot në Kosharës.
Ishte një fushbetejë e luftëtarëve liridashës, atdhetarë të pathyeshëm, në mesin e tyre edhe vullnetar liridashës nga vende e popuj që e duan paqën.
Ne sot përkulemi për 114 dëshmorët e heronjtë, që qëndrojnë në themelet e shtetit, që i bëjnë roje atdheut e lirisë atje në Koshare, ku toka e qielli flasin shqip dhe lartësojnë pavdekshmërinë e tyre.
Atje prehen, kryeheroi e veterani i organizimit të luftës, Sali Ceku, i cili na inkurajonte se “serbët nuk janë të pavdekshëm, dhe së në një të ardhme të afërt këta të fundit do ta lëshojnë Kosovën me turp”, dhe “pavarësisht se si do të jetë, me luftë apo me paqe, Kosova është e jona”.
Strategu Agim Ramadani, që na frymëzonte tek vrojtonte fushëbetejën mbi Dukagjin se “ia vlen me vdekë vetëm për emrin Kosovë” dhe detyrën se “nëse një ushtar do mbetet, ka detyrë ta riformojë ushtrinë e të vazhdojë luftën”.
Por, në mendje gjithmonë i kishim fjalët e Adem Jasharit, se, “Lufta jonë është e drejtë. Ne kemi me dal fitimtarë. Nuk duhet të hezitojmë të luftojmë për këtë tokë, ngase ushtarët dhe policët serbë po gjejnë motivim me ardhë me luftue për me mbajt nën okupim lirinë e tokën e huaj, pse na mos me luftu per lirinë e tokën tonë”.
Prandaj, “për së gjalli nuk dorëzohem kurrë, thoshte Zahir Pajazit. Veç eshtrat munden me m’i marrë, por dorëzua jo, e shokët nuk i marr në qafë”.
Pra, luftëtarët kudo që ishin, gjenin plot motiv për të mos u ndalur, për të mos pushuar deri në ditën kur do të ikte edhe ushtari i fundit i ushtrisë serbe.
Edhe sot, edhe gjithmonë, ia vlen të shtrohet pyetja: Për çfarë luftuam ne? Cfarë dëshiruam ne?
Përgjigje, sa e lehtë dhe e vështirë. Po, luftuam dhe sakrifikuam pse duhej dhe kërkohej nga ne. Se ky ishte shansi për të krijuar dhe ndërtuar shtetin dhe identitetin tonë të lirë. Për të dëshmuar nivelin e lartë të vetëdijes njerëzore, se edhe ne shqiptarët jemi si gjithë popujt tjerë: nuk jemi robër, nuk jemi njerëz të dorës së dytë. Nuk e pranojmë nënçmimin.
Prandaj, ne kishim ideal dhe vizion: Një Kosovë, të lirë, të pavarur dhe demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe të qytetëruar, me një ekonomi solide, një shtet i integruar në BE dhe në NATO, dhe përherë me marrëdhëniet tona të mira me SHBA. Kështu thoshte presidenti i lavdishëm, IBRAHIM RUGOVA.
Por, “lufta gjithmonë lë pas shumë pyetje, kërkon shumë përgjigje. Historia dhe e sotmja po tregon se rezistenca paqësore aktive, dhe lufta e UÇK-së ishin një binom nacional, që me gjithë vështirësitë, e arriti atë më të ndritshmen e shqiptarëve të Kosovës po edhe të shqiptarëve kudo”.
“Ishte një rezistencë e luftë, që tregoi se: në ditë të rënda, populli merr përgjegjësi, organizohet, ashtu siç ka ditur përherë gjatë historisë dhe asgje nuk do të na ndalë, as të na friksoj, as luhatë nga rruga jonë e shenjtë për çlirim”. (lideri studentëve z. Hashim Thaci, viti 1992, me 1 maj , në varrimn e studentit të vrarë Sami Ramë Babaj).
Krahas gjithë sakrificës dhe luftës sonë të lavdishme, falënderimi jeton përherë për aleatin tonë të përhershëm SHBA, që me vijat e kuqe që ia vuri Serbisë, Presidenti Bush senior, për të vazhduar me vendimin e Presidentit Klinton që ta mbështesë luftën e UÇK-së, për ti dhënë fund shkeljes masive të të drejtës humanitare, për t’i dhënë fund tragjedisë njerëzore, për ta ndalur barbarinë dhe mizorinë e
Millosheviçit, me goditjet ajrore shkatërruese.
Na kujtohet kur thoshte Presideni Klinton, Kosova është, vendi ku u trazua ndërgjegja jonë, sepse Ju i treguat botës se keni shpirt të madh ndaj dhe fituat. Ne e bëmë luftën, ju bëjeni paqen, të cilën e konsiderojmë me shumë rëndësi për Amerikën.
Në Kosovë, shqiptarët dhe aleatët tanë, vendosën të ardhmen e shekullit të ri, këtë që po e jetojmë sot.
Në Kosovë secili qytetar jeton i lirë, pasi institucionet e shtetit tonë me gjithë strukturën ligjvënëse dhe institucionale, garantojnë dhe mbrojnë këtë të drejtë.
Një Kosovë me vulen e pavarsisë, që ia dha presidenti Bush yunior, me 10 qershorë 2007, kur deklaroi në Tiranë, se “enought is enought – Kosova will be indipendent”, bëri që sot ta kemi një Kosovë të lirë, të pavarur dhe shtet demokratik, më 17 Shkurt 2008, që iu përgjigj të rënëve dhe të gjallëve, të gjithë brezave, kur po nga ky Kuvend, edhe formalisht, u shpall nga lideri i pavarësisë z. Hashim Thaçi.
Kosova u bë shtet me detyrime dhe përgjegjësi ndërkombëtare. Kosova përherë e më shumë po merr vendin dhe rolin që i përket në mesin e shteteve evropiane. Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj.
Kosovën nuk e ndalojnë më, provokimet dhe vajtimet e Serbisë, mashtrimet dhe lojërat e përsëritura pothuaj 200 vite karshi shqiptarëve.
Kosova ka themelet e forta, në gjithë ato beteja, sikur Beteja e Kosharës, dhe lartësia e vlera e saj, e bijave dhe bijave të saj, në të gjitha fushat, i bënë krenarë të gjithë, aq më shumë nderon të rënët në fushëbeteja duke ëndërruar pikërisht këtë ditë.
Ta vlerësojmë këtë ditë kujtimi dhe mirëkuptimi në radhë të parë, ne që kemi përgjegjësi për politikat e vendit.
Po flas për të gjithë ne. Pa dallime.
Po flas, sepse dua që pyetja: Çfarë arritëm të kemi sot pas 25 vitesh liri, 16 vitesh pavarësi, se a është kjo Kosova e ëndrrave tona, të gjallve dhe atyre që u flijuan, të jet motoja që duhet na bashkoj, ashtu siç është mesazhi që e përcjellë Kosharja.
Të dashur vëllezër të armës veteran e invalid, e ju nëna të dëshmorëve, ju kërkojmë falje nëse në këto përvjetore, me raportimet tona, nuk jemi satisfaksion për dhimbjet tuaja të lirisë.
Kurse, Ata janë dhe do të jenë kudo me ne. Ata na flasin për të bërë atë që duhet të bëjmë, që Kosova, shteti ynë, dhe qytetarët e saj, të jenë krenarë, sa me të kaluarën edhe me të sotmen.
Zoti e bekoftë UÇK!
Zoti e bekoftë Kosovën tonë!
Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët tanë në krye me SHBA!
Zoti i bekoftë shpritërat e të gjithë atyre që u flijuan për liri!
Nderim e respekt për heronjtë e gjallë të kësaj krenarie kombëtare!

