Connect with us

Kosova

Kosova dhe Serbia në vend se të fajësojnë njëra-tjetrën t’i kryejnë detyrat e tyre, thotë Stano 

Si tejet kundërproduktive e ka cilësuar zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, faktin se Kosova dhe Serbia po akuzojnë njëra-tjetrën për mos zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Në vend të kësaj, Stano, sugjeroi se si Kosova ashtu edhe Serbia të fokusohen në përmbushjen e Ujdisë, meqë në vlerësimin e tij pa progres në dialog të dyja shtetet nuk mund të avancojnë drejt Unionit.

“Ne nuk marrim pjesë në zhvendosjen e fajita nga njeri te tjetri pasi është shumë kontradiktore dhe kundërproduktive. Njëra palë fajëson vazhdimisht tjetrën dhe anasjelltas. Të gjithë duhet të shohin se cila është detyra dhe ta përmbushin atë. Të dyja palët kanë shumë për të përmbushur”, ka potencuar Stano për Zërin e Amerikës.

Sipas tij Kosova ka si prioritet urgjent themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është obligim i ndërmarrë nga Kosova shumë kohë më parë që nuk po e përmbush përkundër thirrjeve të BE-së, partnerëve amerikanë dhe të tjerëve”, shtoi Stano duke shtuar se edhe Serbia duhet të fillojë në përmbushjen e detyrimeve të saj.

“Pala serbe ende ka deficite kur bëhet fjalë për çështjet që dalin nga marrëveshja, në fund të fundit të dyja palët, në vend që të fajësojnë njëra-tjetrën dhe të hapin çështje të reja, duhet të përqendrohen në zbatimin e asaj që kanë rënë dakord në Ohër”, potencoi Stano.

Takimi i nivelit të lartë të dialogut i 26 qershorit përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kurti parashtroi tri kërkesa të cilat duhen plotësuar për vazhdimin e procesit të normalizimit.

Formalizimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, ishin tri kushtet e Kurtit.

Advertisement