Connect with us

Kosova

Kosova drejt ndarjes në dy pjesë/ Serwer bën parashikimin për asociacionin

Daniel Serwer, specialist në fushën për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, deklaroi se Qeveria e Kosovës duhet t’i bindë serbët që jetojnë në pjesën veriore të vendit, se ata do të jenë më mirë si qytetarë të Kosovës, në mënyrë që të kundërshtohet e ashtuquajtura “botë serbe” nën projektimin e Serbisë.

Në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, po përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, por ndonëse integrimi shihet si një “manovër e vështirë” nga profesori amerikan, ai shtoi se autoritetet kosovare duhet të jenë më të kujdesshme ndaj këtyre katër komunave.

“Kosova duhet t’i bindë serbët e veriut se ata do të jenë më mirë si qytetarë të Kosovës (edhe nëse e mbajnë edhe shtetësinë serbe). Disa po lëvizin në këtë drejtim, sikurse sugjeron gatishmëria e tyre për të marrë targa, leternjoftime dhe pasaporta të Kosovës”- shkroi profesori amerikan në një artikull autorial.

“Të gjitha autoritetet në Prishtinë duhet të jenë më të kujdesshme se sa kanë qenë në të kaluarën, duke ekspozuar flamurin etnikisht neutral të vendit, në vend të flamurit etnik shqiptar (gjithashtu flamurin e Shqipërisë) që shumë prej tyre e preferojnë”- shtoi ndër të tjera ligjëruesi amerikan.

Zbatimi i shumë marrëveshjeve për ndarjen e pushtetit, sipas profesorit amerikan, nuk është i lehtë, por ende i nevojshëm, përfshirë mbështetjen financiare për serbët dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Përsa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai konsideroi se ky mekanizëm mund të çojë drejt shkëputjes.

“Kjo do t’u mundësonte atyre të qeverisin bashkërisht dhe veçmas nga Prishtina, ashtu sikurse në Republikën Sërpska. Në mjedisin e duhur gjeopolitik, mund të veprojë edhe si mjet për ndarjen e katër komunave veriore nga një shtet që Beogradi ende nuk e njeh” – ka shkruar Serwer.

Serbia nga ana e saj ndjek strategjinë e “botës serbe” që synon të rrisë ndikimin mbi fqinjët sa më shumë të jetë e mundur, potencoi Serwer, ndërsa regjimi serb është duke u pozicionuar në mënyrë që të mund të kërkojë shkëputjen e serbëve nga vendet fiqnje nëse ndryshojnë rrethanat gjeopolitike.

Kujtojmë se më herët, Serwer ka thënë se paqëndrueshmëria e Serbisë në vitet e fundit, lidhet me refuzimin e presidentit, Aleksandar Vuçiq, për t’u reformuar.

Në një debat të organizuar nga Instituti Amerikan i Politikave Publike – Fondi Marshall Gjerman i Shteteve të Bashkuara (GMF), ai u shpreh mes tjerash se armatosja e Serbisë paraqet kërcënim për Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, deklaratat e ndihmëssekretarit amerikan për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, James O’Brien, se arritja e stabilitetit në Ballkanit Perëndimor është vështirë të arrihet dhe ka sugjeruar që fokusi të jetë në reforma ekonomike, tregojnë se Ballkani nuk është prioritet për Washingtonin dhe shpërfaq zbutje karshi Serbisë.

James O’Brien po përpiqet t’i dredhojë zgjedhjet e Beogradit, pasi OSBE-ja nuk i vëzhgoi zyrtarisht ato. Por faktet dihen mirë. Kurse O’brien nuk e trajtoi rezultatin zgjedhor në Serbi si mashtrim. Ky është një shembull shqetësues i zbutjes amerikane ndaj presidentit serb Vuçiç” – ka thënë Serwer duke theksuar gjithashtu se Washingtoni dhe Brukseli duhet t’i thonë Beogradit se “bota serbe” është mallkuar dhe militarizimi duhet të ndalet.

Advertisement