Kosova
‘Kosova është gjithmonë krenare me ty’/ Dua Lipa bëhet zyrtarisht shtetase e Kosovës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës.
Një natë para nisjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, Dua Lipa është pritur nga presidentja Vjosa Osmani, ku me dekret presidencial, i është dhënë dhe shtetësia kosovare.
Osmani tha se është nder i veçantë ky moment, teksa Dua Lipën e cilësoi si një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.
“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë”.
“Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty”, tha Osmani.

