Connect with us

Shkrime

Kosova është në rrezik, vetëm bashkimi e shpëton

Nga Enver Bytyçi

Kosova bëri lëshimet e saj gjatë bisedimeve me presidentin Matti Ahtisaari. Shpalli pavarësinë dhe bëri kushtetutën bazuar në dokumentin e tij, teksa Serbia refuzoi kompromisin në bisedimet e Vjenës.

Sot, mbas më shumë se 16 viteve liri e pavarësi, Kosova sërishmi është në rrezik.

Dikur thoshin se “Kosova është vend kriminal, shtet i mafies”. Dhe me këtë argument të kuzhinës serbe nisën ta luftojnë shtetin e Kosovës. Tani nuk e thonë dot. Sepse institucionet e saj janë përgjegjëse në qeverisje. Pra, nuk shkon më akuza se “krijuam një shtet mafioz”! Prandaj europianët dhe amerikanët pro-serbë kanë dalë hapur. Po e thonë çdo ditë se nuk e duan Kosovën shtet. E duan të copëtuar e të shkatërruar. Sepse kështu i pëlqen Beogradit.

Serbia ia arriti të hiqet si viktimë. Nëse krimet serbe do t’i kishte bërë Kosova në Ballkan, athere kishin me i zhdukë shqiptarët më keq se palestinezët në Gaza. Ndërsa Serbinë e harruan. Kriminelët e Serbise janë në pushtet e hiqen si viktima. Perendimi demokratik i pranon si të tillë. Deri në atë masë, sa tani akuzojnë qeverinë e Kosovës dhe Kosovën për “agresion”! Kurrë nuk ishte imagjinuar kjo metamorfozë euro-amerikane. Dhe gjithçka ndodhi edhe për shkak se Serbia u tregua unike në qëndrimet e veta. Ndaj dhe euro-amerikanët thanë se me Serbinë nuk ia dalim dot, hajde t’i kthehemi Kosovës dhe shqiptarëve, se këta janë të dobët, të përçarë dhe të padobishëm.

Në fakt për përçarjen e shqiptarëve dhe politikës së Kosovës ndërkombëtarët dhe Serbia investuan te Edi Rama. E bënë kryeministër, pikërisht për të shtuar presionin ndaj autoriteteve dhe liderëve kosovarë. Gjithçka për te shuar patriotizmin dhe rezistencën politike të shqiptarëve. Shkurt, për të realizuar projeket e Serbisë.

Nëse europianët dhe amerikanët binden se Kosova nuk heq dorë nga shtetësia dhe territori dhe i mbron ato me çdo çmim, edhe me çmimin e luftës për mbrojtje, atëherë ata do të tërhiqen nga projekti që kanë për ta zhbërë Kosovën në dobi të Serbisë.

Në kushtet e sotme nuk janë në pyetje zgjedhjet as se kush i fiton ato. Eshtë në pikepyetje atdheu, shteti, territori dhe ardhmëria e shqiptarëve. Këtu nuk testohet vetëm Kosova. Bashkimi na bën fitues të padiskutueshëm. Ndryshe përçarësit një ditë do të marrin nofkën e tradhtarit!

 

Advertisement