Kosova
Kosova nis të dërgojë në Shqipëri energjinë e tepërt elektrike
Në bazë të marrëveshjes së KEK-KESH, Korporata Energjetike e Kosovës ka nisur të dërgojë një sasi të rrymës gjatë orëve të natës në Shqipëri. E gjithë kjo pasi në periudhën e muajve të vjeshtës dhe të këtij dimri, Kosova ka marrë diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike nga Shqipëria. Kjo sasi e rrymës, që i jepet Shqipërisë, është si kthim i borxhit.
Korporata Energjetike e Kosovës ka dy-tre ditë që tepricat e prodhuara të energjisë elektrike po ia dërgon Shqipërisë. Më konkretisht, konsumimi i “reduktuar” shumë i rrymës që nga prilli, e sidomos që nga fillimi i majit, ka bërë që me gjithë tërheqjen e bllokut B1 të Kosovës B nga prodhimi për shkak të punëve remontuese të planifikuara në turbinën e kësaj njësie, të mjaftojë energjia e prodhuar në njësitë e tjera për të plotësuar nevojat e Kosovës.
KEK-u gjatë muajit maj dhe qershor, përkohësisht e ka tërhequr nga prodhimi (e ka vendosë në “pushim”) edhe njërin nga blloqet e termocentraleve Kosova A (herë bllokun A3, herë A4), me kapacitet 130 megavatësh, pasi që, siç kanë vlerësuar në KEK, prodhimi i energjisë elektrike në njësitë e tjera që gjenden në operim, ka mjaftuar për të plotësuar nevojat e konsumit të Kosovës me energji elektrike.
Më konkretisht, prodhimi nga blloku B2 i termocentraleve Kosova B (260 megavatë-orë) dhe nga A3-shi (130 megavatë) e A5-shi (130 megavatë) dhe dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme (në raste kur kishte erëra të mjaftueshme dhe në saje të të reshurave thuaja të vazhdueshme në këta muaj), edhe 100 megavatë-orë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës), pak a shumë është thuaja se i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumit të zvogëluar ndjeshëm krahasuar me periudhën dimërore.
Sipas të dhënave të distribucionit, konsumi këtyre ditëve sillet 600-650 megavatë-orë, që është pak a shumë është i barabartë me rrymën e prodhuar këtyre ditëve në stabilimentet e angazhuara aktualisht. Gjatë natës konsumi bie ndjeshëm edhe nën këto shifra të sipërpërmendura.
Në KEK, tërheqjen nga prodhimi të bllokut A4 (130 megavatë), përkundër gjendjes së mirë teknike të këtij blloku, e arsyetojnë me faktin se gjatë majit dhe qershorit konsumi i vendit nuk kishte nevojë edhe për sasinë sa prodhon njësia A4, ndërsa në anën tjetër, siç theksojnë në Korporatën Energjetike të Kosovës, në këtë kohë nuk është shumë e leverdishme për të prodhuar për eksport të rrymës, për shkak të çmimeve shumë të ulëta të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Sipas një llogarie del që edhe pse jashtë prodhimit aktualisht gjenden gati gjysma e termocentraleve të KEK-ut (B1 dhe A4, ndërsa në prodhim gjenden B2 dhe A3 e A5).
Situata elektroenergjetike në Kosovë, nga fillimi i majit, qëkur është rikthyer në prodhim blloku A5 i termocentraleve Kosova A, është relativisht të qëndrueshme, sado që aktualisht nga termocentralet e vendit shpenzohet ndjeshëm më pak rrymë se sa në sezonin e dimrit.
Të gjitha termocentralet e KEK-ut që aktualisht janë në punë, prodhojnë 520 megavatë. Kësaj sasie duhet shtuar edhe energjia elektrike nga impiantet e rinovueshme. Tepricat, KEK-u është detyruar t’i eksportojë edhe për shkak se në sistemin elektroenergjetik të Shqipërisë, deri këto ditë, praktikisht, për shkak të situatës së volitshme me ujëra në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit dhe plotësimit qind për qind të nevojave nga prodhimi vetanak të konsumit shqiptar, nuk kanë pasur nevojë për energjinë elektrike nga Kosova.
Në bazë të marrëveshjes së kahershme KEK-KESH, Korporata Energjetike e Kosovës ka nisur të dërgojë një sasi të rrymës gjatë orëve të natës në Shqipëri. Tani për tani, kjo sasi e rrymës që i jepet Shqipërisë si kthim i borxhit, nuk është aq e madhe, por në ditët në vazhdim pritet të rritet kjo sasi. Siç dihet, në periudhën e muajve të vjeshtës së vonë dhe të këtij dimri, Kosova ka marrë diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike si kthim borxhi, por edhe si huazim, ose borxh i krijuar ndaj KESH-it.
Më saktësisht, Kosova, pas kthimit të tërësishëm të borxhit nga sistemi elektroenergjetik shqiptar, ka huazuar nga Shqipëria diku rreth 34 mijë megavatë-orë si borxh, të cilin do të kthejë gjatë muajve të kësaj vere, kur në Kosovë rëndom pritet të ketë teprica, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për më shumë energji elektrike edhe për shkak të turizmit veror. Megjithatë, siç kanë njoftuar në KEK, që nga 28 shkurti i këtij viti, Kosova nuk ka marrë më fare energji elektrike nga Shqipëria.
Marrë nga Manitor.al