Kosova
Kosova progres në dialog, ose s’ka BE dhe NATO
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se Qeveria e Kosovës pa bërë progres në dialog me Serbinë, nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë – pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Hovenier gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët kosovarë në Prishtinë.
Ai ka insistuar që Qeveria e Kosovës ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, derisa ka shtuar se “ShBA-ja ka një përkushtim të fortë afatgjatë ndaj popullit të Kosovës”.
“Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tash për tash të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, qëllimisht, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, shtoi ai.
Hovenier ka potencuar se “jemi të interesuar të shohim procesin që ecën përpara”, por ka treguar se “është i shqetësuar sa i përket situatës në Veri.
“I kemi kërkuar edhe Qeverisë së Serbisë të marrë masa për të arritur shtensionim në Veri të Kosovës. Ne duam të shmangim trazira, kërcënime të dhunës, dhe gjëra të tjera të cilat pengojnë aftësinë tonë për të punuar me palët për t’u fokusuar në objektivat strategjike, që është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, nga të dyja palët”.
Ai tha se Kosova është zotuar se do të përmbushë pikat e rëna dakord mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe emisarit evropian Miroslav Lajçak, në Bratisllavë për shtensionimin e situatës në veri, dhe se SHBA-ja e mirëpret dhe e sheh këtë si hap pozitiv drejt shtensionimit.