Connect with us

Aktualitet

Kosova-Rama/ Fatos Lubonja revoltohet me Amerikën

Fatos Lubonja thotë se Amerika kërkon të sakrifikojë Kosovën. Ai kritikon kryeministrin Edi Rama, që sipas tij, po bën lojën e tyre.

“Dje Foreign Affairs thoshte se pse po gabon Blinken me Kosovën. Pra me këto presionet. Kur flet një revistë e tillë prestigjioze, të paktën ne këtu duhet të ekuilibrohemi pak me këtë idenë e Amerikës. Ka mendime të ndryshme për këtë çështje. Ajo që ka ndodhur është se për arsye gjeostrategjike kanë dashur negociata me Serbinë. Është një proces i gjatë me dështime të ndërkombëtarëve dhe kanë lënë një shtet që e mbron ushtria e KFOR-it. Kjo është minimalja që kërkon një komb. Nuk e zgjidhin dot. Kur vjen puna te zgjedhjet Kurti kërkoi mendim dhe i thanë të kryhen se do njihen. Problemi është se ndodhi reaksioni serb duke plagosur trupat e KFOR-it. Pyetja është se pse ndryshuan këta. Ka ndodhur sepse ky konflikt u pa nën kontekstin e luftës në Ukrainë. Nuk donin një Mitrovicë si Donbasi në Ukrainë dhe të hyjë Vuçiçi me tanke. Çështja është se në raport me këtë krizë, pozita e Perëndimit është një trajtim i Kosovës si për të thënë që “rrini urtë se kemi këtë që na krijon telashe”, pasi kemi hallin e Ukrainës. Nuk është as për Asociacionin. Ky konflikt nuk duhet dhe duhet të sakrifikohet Kosova se është më kollaj. Kosova nuk ka ku ikën, Vuçiçi shkon nga Putini nëse do dhe ka luajtur kartat e tij me sukses. Qëndrimi i Ramës për mua është më dramatizues se Perëndimi. Është krejt alarmant dhe i nënshtruar. Rama tha se ka zero rrezik për Kosovën nga Serbia. Atëherë pse u alarmuan këta? E keqja është se ky po prish raportin me ndërkombëtarët. Unë gjykoj se ka rrezik. Rama po shfrytëzon rastin, ku në vend t’i japë një dorë Kurtit, po krijon një atmosferë si përfaqësues i Ballkanit së bashku me Vuçiçin. Kurti këtu ia ka prishur pak fijet, sepse dhe Open Balkan ishte anashkalim i Kosovës”, u shpreh ai.

Advertisement