Kosova
Kosova refuzon t’ia japë Serbisë provat për Radoiçiçin
Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Serbisë drejtuar autoriteteve të saj për bashkëpunim juridik rreth rastit të sulmit të armatosur të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, dhe dhënien e provave për kryebanditin serb, Millan Radoiçiç, ndaj të cilit ekziston edhe një fletarrest ndërkombëtar.
Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka deklaruar se kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, pasi vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Kosovës.
Nga Ministria gjithashtu kanë theksuar se ka qenë Serbia ajo që ka refuzuar fillimisht kërkesën e Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike për grumbullimin e provave, duke qenë se anëtarët e grupit terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të vendit, në bazë të dyshimeve të autoriteteve kosovare, janë trajnuar e armatosur në territorin e Serbisë.
“Serbia duhet t’i përgjigjet kërkesave për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës. Po ashtu duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar në raport me bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”, ka nënvizuar ndër të tjera Ministria në përgjigje.
Kujtojmë se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ka thënë se shpreson që autoritetet kosovare t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së palës serbe për ndihmë juridike reciproke, në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme për të ndjekur penalisht Radoiçiçin për terrorizmin e vitit të kaluar në Kosovë.