Kosova
Kosova sfidon me dinarin, por Rajoni po kërcënohet/ Ja çfarë shkruajnë mediat britanike
Dy ndër gazetat kryesore në Britaninë e Madhe – “Financial Times” dhe “The Telegraph” – kanë shkruar për rregulloren e ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet financiare, ku specifikohet se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve është euro dhe rrjedhimisht, përjashtohet dinari serb në Kosovë.
Një vëmendje të veçantë mediat i kanë kushtuar kërkesës së QUINT – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia – që Qeveria e Kosovës ta pezullojë zbatimin e rregullores së ndryshuar të BQK-së.
“Kosova po sfidon lutjet e perëndimit që ta shtyjë vendimin për ndalimin e monedhës së Serbisë për transaksionet në territorin kosovar, një propozim që ka shkaktuar tensione të reja midis dy vendeve pas dekadash paqëndrueshmërie në rajon”, shkruan “Financial Times”.
“Kosova do ndalojë përdorimin e monedhës serbe, duke kërcënuar të shkaktojë një krizë të re në rajon” – ka shkruar nga ana tjetër “The Telegraph” , duke shtuar se përkundër shqetësimeve të diplomatëve perëndimor, ekzekutivi kosovar është i vendosur të ecë përpara.
“Diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se këmbëngulja e qeverisë kosovare që serbët etnikë të miratojnë euron mund të çojë në ripërtëritje të përplasjeve. Mosmarrëveshja rreth dinarit rrezikon ta zhysë kombin ballkanik përsëri në trazira” – ka potencuar ndër të tjera “The Telegraph”.
Bashkimi Evropian deklaroi se kjo çështje duhet të adresohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e BE-së, përkundër se shtuan se janë të vetëdijshëm që rregullorja e re synon ruajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës.
“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, aspekt i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë, duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Peter Stano, zëdhënësi i BE-së.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se rregullorja që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt synon të mbrojnë integritetin e sistemit financiar të vendit, dhe shtoi se rregullorja “as s’e lejon, as s’e ndalon dhe as s’merret me dinarin serb” ngase asnjëherë nuk ishte në fokus ndalimi i ndonjë valute specifike në Kosovë.
Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari. Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.