Kosova
‘Kosova, shtet terrorist’, amerikani është i sigurt për njohjen në fund të dialogut
I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global i Departamentit të Shtetit James Rubin i tha Zërit të Amerikës se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje.
Zyrtari i lartë amerikan, i cili luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovës, u shpreh se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit.
“Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Albin Kurtit ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit. Gjithsesi jemi miq të mirë. Por, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, dhe kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit.
Në intervistë, Rubin foli edhe për shqetësimet lidhur me fushatën e dezinformacionit të përhapur nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia po përdor dezinformimin në gjithë botë, por në veçanti në Ballkanin Perëndimor. Ata po operojnë përmes (agjencisë ruse të lajmeve) ‘Sputnik Serbia’, dhe përmes ‘RT Serbia’ që fatkeqësisht ende vazhdon të transmetojë . Dhe për shkak se shumë shtete flasin të njejtën gjuhë në Ballkanin Perëndimor, këto lloj informatash përdoren, ripërdoren dhe manipulohen” – deklaroi Rubin, duke shtuar se “Fatkeqësisht Rusia vazhdon të përdorë problemet mes Kosovës dhe Serbisë duke kërcënuar t’i vërë veton anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara përmes pretendimeve të rreme se gjoja Kosova mund bëhet shtet terrorist. Rusia përdor lloj-lloj formash të tjera dezinformuese për t’i mohuar Kosovës anëtarësimin në Interpol, UNESCO dhe hapa të tjerë”.