Connect with us

Kosova

Kosova, si karem i Rusisë/ Profesori tregon shtetet që kërcënohen

Çështja mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Ndërkombëtarët ka vite që synojnë të arrijnë një marrëveshje mes dy palëve, mirëpo këtë zgjidhje nuk po e dëshiron Serbia, pasi në vazhdimësi është e njejta që nuk i pranon marrëveshjet.

Në lidhje me situatën aktuale, si dhe deklaratat kërcënuese të liderëve serbë, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai tha që Serbia dhe lideri i saj kërcënojnë në mënyrë të hapur Kosovën mirëpo që të njejta kërcënime nuk mund ti kenë edhe me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi e as me Maqedoninë e Veriut.

“Serbia dhe Aleksandër Vuçic, prej kohësh kërcënojnë në mënyrë të hapur jo vetëm lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, por edhe janë gati për një konflikt të armatosur në rajon. Por nuk ndodh kjo me Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. As me Maqedoninë e Veriut. Në fakt me këtë të fundit nuk guxoi të kërcënonte me luftë as Milosheviçi. Sepse një konflikt në Maqedoni do të ishte arsye për ta shkatërruar plotësisht Serbinë. Por pse presidenti i Serbisë dhe autoritete të tjera të Beogradit kërcënojnë gjithnjë e më fort, më ashpër, Kosovën dhe jo Malin e Zi e Bosnjë-Hercegovinën?” – pyeti Bytyçi.

Profesori tha se Rusia është pjesë e planeve të Serbisë në lidhje me Kosovën pasi e njejta është e interesuar ta përdorë Kosovën si karem të “së drejtës së saj” për të përligjur pushtimin e Krimesë dhe pjesëve të tjera të Ukrainës.

Kremlini e do Kosovën për ta përdorur në favor të aneksimit të territoreve ukrainase. Prandaj dhe zgjidhja përfundimtare e problemit të Kosovës është interesa perendimor dhe jo interes serb e rus.

Bytyçi theksoi gjithashtu se presidenti i Serbisë kërcënon Kosovën, ndërkohë që sytë e tij shohin më shumë edhe në drejtim të Republikës Srpska dhe Malit të Zi, pasi ndikimi serb atje është dhjetë fish më i madh sesa në Kosovë.

Profesori gjithashtu potencoi se Vuçic beson në manovrat e Millosheviçit mirëpo që mobilizimi i servëve lokalë në Kosovë është i vështirë pasi janë pak me numër se sa në Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinë.

“Për të gjitha këto arsye nuk kam asnjë brengë se Serbia do të realizojë kërcënimet e saj në Kosovë. Por ajo mund të provokojë. Aftësitë e saj provokuese nuk shterojnë kurrë, madje as kur Kosova të bëhet anëtare e OKB-së” – deklaroi Enver Bytyçi.

Advertisement