Connect with us

Kosova

Kosova tashmë në BE/ Wolfgang Petriç 25 vite pas Rambujesë

“Nëse negociatat në Rambuje do të kishin qenë të suksesshme, Serbia, Mali i Zi dhe ndoshta Kosova do të kishin qenë prej kohësh anëtarë të Bashkimit Evropian, në të cilin të gjithë serbët do të ishin të bashkuar dhe nuk duhet të humbasim shpresën se kjo do të ndodhë” – Kështu tha ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, në Grupin e Kontaktit, i cili nisi negociatat në Rambuje, Wolfgang Petriç, duke shtuar se negociatat në Rambuje ishin shansi i fundit për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës.

Sot, në një distancë kohore prej 25 vitesh, Petriç deklaroi se pavarësia e Kosovës ndoshta nuk do ishte ndalur më vonë, por do të kishte një “tranzicion paqësor” nëse Rambuje-ja do të kishte një epilog më të lumtur.

Në kështjellën e Rambujesë në Francë më 6 shkurt 1999 filloi konferenca e paqes për zgjidhjen e krizës në Kosovë, e cila zgjati 17 ditë, por pa u afruar në qëndrime, delegacionet e Serbisë dhe shqiptarët e Kosovës.

Petriç, duke i kujtuar ato ngjarje saktësisht 25 vjet më vonë, tha se kompromisi i Grupit të Kontaktit, ku përfshihej edhe një përfaqësues i Rusisë, ishte kthimi i një shkalle të lartë të autonomisë për Kosovën, brenda Jugosllavisë.

“Pa pavarësi, sepse rusët nuk ishin pro dhe evropianët thanë – le të përpiqemi ta bëjmë, sepse situata u përshkallëzua. Pika vendimtare ishte masakra në Reçak, e cila është e diskutueshme edhe sot. Pastaj konstatuam se ata ishin civilë. Duhet të dihet, ishim në vitin 1999, bëhej fjalë për parandalimin e një Srebrenicë tjetër” – kujton ai kontekstin, nga këndvështrimi i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në të cilin para një çerek dekade kërkohej zgjidhja e krizës në Kosovë.  Sipas tij, kur ndodhi Reçaku, amerikanët thanë – mjaft me negociata.

“Ata thoshin se duhet të zbatohej një ndërhyrje ushtarake, por evropianët ishin kundër dhe mbrojtën çdo përpjekje të mundshme për të gjetur një zgjidhje paqësore” – tha Petriç.
“Ndërsa atëherë në Rambuje vetëm pala kosovare kërkonte NATO-n, tani është e qartë se sa i rëndësishëm është KFOR-i për mbrojtjen e serbëve në Kosovë. Kjo, për fat të keq, do të thotë se në Rambuje ishte shansi i fundit për paqe dhe u shpërdorua” – theksoi Petriç

“Nëse atëherë do të kishte epilog pozitiv, Serbia, Mali i Zi, ndoshta Kosova do të kishte qenë kohë më parë në Bashkimin Evropian. Kjo do t’i hapte kufijtë midis territoreve serbe jashtë Serbisë. Kjo është diçka që e kam thënë gjithmonë. Serbia me serbët që jetojnë në disa vende duhet të jenë ‘më pro-evropianët’. Vetëm në një Evropë të bashkuar të gjithë serbët do të ishin të bashkuar. Fatkeqësisht, kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani. Por ne nuk duhet të humbasim shpresën” – potencoi ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, në Grupin e Kontaktit, Wolfgang Petriç.

Advertisement