Kosova
Kosova të mos themelojë Asociacionin, pa fituar njohjen nga Serbia

Presioni i faktorit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, po vazhdon të rritet. Megjithëkëtë, sipas Akri Çipa, ekspert i politikës së jashtme, Kosova duhet të këmbëngulë që të mos e themelojë Asociacionin pa fituar njohjen nga Serbia.
Draftstatuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës, i propozuar gjatë tetorit nga pesëshja euro-amerikane, ende vazhdon të jetë sekret për publikun. Ky draftstatut që parimisht është i pranueshëm për Kosovën, është pakrahasueshëm më i mirë se të tjerët, ka thënë kryeministri Albin Kurti, të cilit prej kohësh po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit.
Duke folur në lidhje për presionin ndërkombëtar, Akri Çipa, ekspert i politikës së jashtme në Nju Jork, tha se Kosova duhet të themelojë asociacionin por duhet të këmbëngulë që ai të mos themelohet pa njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment për të fituar kapital politik dhe për të mos pranuar kurrsesi themelimin e asociacionit, pa e përfshirë këtë në pakon përfundimtare për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë, ku domosdoshmërish duhet të jetë edhe njohja reciproke ndërmjet vendeve” – theksoi ekpserti Çipa, duke shtuar se “Përfshirja e tre liderëve evropianë; presidentit francez, Macron, kryeministres italiane, Meloni, dhe kancelarit gjerman, Scholz, ndihmon dialogun, pikërisht për të çliruar paksa asimetrinë e krijuar nga dy ndërmjetësuesit evropianë”
Ekspert i politikës së jashtme në Nju Jork, vlerësoi se në situatën në të cilën është Prishtina zyrtare, do të duhej të kishte unitet politik në vend, që do të thotë se do të forconte pozitën e Kosovës karshi përmbylljes së dialogut me Serbinë.

