Kosova
Kosova t’ia lërë topin Serbisë/ Nëse përmbush detyrimet në 2025, presioni do jetë mbi Beogradin
Viti 2024 konsiderohet si viti maratonik i zgjedhjeve që sollën ndryshime në administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Bashkimit Evropian. Në Kosovë, pritshmerite janë që këto ndryshime do sjellin lëvizje pozitive në proceset e integrimit e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Megjithatë, njohësit ndërkombëtar nuk presin që Kosova dhe Serbia të jenë lartë në agjendën e administratave të reja, aq më pak në atë të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.
“Nuk mendoj që Ballkani do të bëhet prioritet i madh, por presidenti Trump është i familjarizuar me Ballkanin, është i familjarizuar me Kosovën dhe Serbinë, sepse e ka arritur marrëveshjen e Uashingtonit me ish-kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiç. Pra është i familjarizuar me ta dhe e ka përmendur para zgjedhjeve. Janë të vetëdijshëm për këtë, do të shtyjnë disa projekte infrastrukturore mund t’i shtyjnë, këtë korridorin e tetë që është projekt strategjik” – ka deklaruar Edward Joseph
“Unë shpresoj se do të ketë lëvizje në drejtim të implementimit të marrëveshjeve të arritura në mënyrë që topi t’i ngelet në fushë Serbisë dhe ajo pastaj të ketë presion për të implementuar pjesën e saj të marrëveshjeve dhe jo të qëndrohet ne status quo, të qëndrohet në vendnumëro e cila nuk është në të mirën e popullit të Kosovës”, theksoi Adrian Shtuni, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Nuk mund të ia lësh në derë Bashkimit Evropian obligimin që ke ti dhe që ta kanë bërë të qartë për një kohë shumë të gjatë se çfarë duhet të bësh në mënyrë që ato sanksione të largohen. Shpresoj që do ketë vetëdije, do të ketë sinqeritet në komunikim me publikun nga ana e kujtdo qeverie që do të vijë nesër” – potencoi Shtuni. Përgjatë vitit 2024, Kosova dhe Serbia zhvilluan dialog teknik derisa nga Bashkimi Evropian kërkohej zbatimi i marrëveshjes bazike për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksit të saj të Ohrit. Në këtë pikë, për më shumë se një vit, Kosova është e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.