Shkrime
Kosova vuan për një shembull si Ibrahim Rugova
Raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pikën e tyre më të ulët, kjo pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, sugjeron që liderët aktual të Kosovës të marrin shembullin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.
Në vlerësimin e ish-ambasadorit të SHBA-ve në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje e Hercegovinë, Kosova në këtë fazë ka nevojë për një burrështetas, e jo një person të mllefosur.
“Kur fillova të punoj për herë të parë me Kosovën mbi 30 vjet më parë, ishte mjeshtëria e Ibrahim Rugovës që solli vëmendjen e botës në Kosovë. Në vitin 2024, Kosova ka nevojë për një burrështetas – jo për mllef” – deklaroi Moore në një intervistë
Marrë për bazë konsolidimin e munguar të shtetësisë së Kosovës dhe nevojës së saj për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për t’i arritur qëllimet e saj në arenën ndërkombëtare, diplomati i karrierës merr si shembull procesin e anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në NATO, për të pasqyruar rëndësinë e bashkëpunimit me Perëndimin.
“Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Pikërisht për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, shton diplomati
I pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të në mbarëvajtjen e procesit të dialogut, ish i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Bjellorusi dhe ish-zëvendës-shefi i misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje e Hercegovinë, potencoi se askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e saj. Në vlerësimin e tij, ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërmarrë hapa pozitivë dhe të tregojë aftësi për të menaxhuar politikat në mënyrë që të fitojë mbështetje.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, sipas ish-zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ka qenë e gabuar, e pakoordinuar dhe një provokim i panevojshëm.
Komuniteti ndërkombëtar kritikoi Qeverinë e Kosovës, jo për legjitimitetin e rregullores së BQK-së, po për faktin se vendimi u mor në mënyrë të njëanshme, pa konsultime paraprake dhe pa një fazë tranzicioni adekuatë.