Connect with us

Kosova

Kosovë/ Analisti i njohur tregon rrugën për të dalë nga qorrsokaku

Analisti nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, beson se kërkesa e Këshillit Evropian që Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i saj i Ohrit të përfshihen në kapitullin 35 në procesin e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, ka ardhur si rezultat i qëndrimeve të Beogradit, konkretisht Presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç, se nuk do ta pranojnë atë marrëveshje në tërësi, por vetëm një pjesë të saj, teksa Perëndimi ka këmbëngulur se marrëveshja është e gjitha obligative.

Muhaxhiri theksoi se bashkësia ndërkombëtare ka interes që palët në dialog të pranojnë të gjithë procesin dhe se vendimi i Këshillit Evropian për kapitullin 35 ka qenë domosdoshmëri për zbatimin e marrëveshjeve.

“Nuk jam i sigurt nëse ky ka qenë gabim i presidentit Vuçiç apo mendim strategjik, sepse tani ai do ketë alibi për t’u thënë qytetarëve serb se është absolutisht e nevojshme të respektohet plotësisht Marrëveshja e Ohrit, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. Nga ana tjetër, ekziston mundësia që të ketë qenë gabim, dhe duke u përpjekur të mos e pranojë të gjithë Marrëveshjen e Ohrit, Vucic ka provokuar përgjigjet e BE-së, duke e vendosur marrëveshjen në kapitullin 35 dhe duke i futur në këtë mënyrë nën presion shumë më të madh institucionet në Beograd” tha Muhaxhiri, duke shtuar se Kosova dhe Serbia nuk kanë zgjidhje tjetër për integrimin evropian përveç pjesëmarrjes në dialog dhe respektimit të marrëveshjeve.

“Nëse ndonjë palë nuk e respekton, do të izolohet dhe do të bllokohet perspektiva e saj në BE. Nuk mendoj se ky është një opsion as për Kosovën, as për Serbinë. Megjithatë, mund të presim që politikanët të mos bëjnë kompromise të lehta, por në fund sigurisht që do të duhet t’i bëjnë sepse në të kundërtën perspektiva për vendet dhe qytetarët e tyre do të jetë shumë më e errët” – theksoi Muhaxhiri.

Analisti i njohur tha se bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-të dhe anëtarët e fuqishëm të BE-së, si Franca dhe Gjermania, kanë investuar shumë burime financiare dhe politike në procesin e dialogut dhe nuk do të lejojnë, siç tha ai, liderët populistë ballkanikë të shkatërrojnë investimet e tyre.

“E vetmja alternativë, nga pikëpamja gjeostrategjike, për normalizimin e rajonit tonë është arritja e një marrëveshjeje historike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kalimi në një kapitull të ri, por ne kemi politikanë populistë që duan ta ngadalësojnë këtë proces për interesat e tyre që kanë të bëjnë me zgjedhjet”, vlerësoi Muhaxhiri.

Advertisement