Connect with us

Kosova

Kosovë/ E kishte shpallur të “vdekur”, tani Gërvalla thotë se s’e di nëse…

Përkundër se e kishte shpallur të “vdekur” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tani Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, pasi që kryeministri Albin Kurti, pranoi draftin evropian për këtë mekanizëm, thotë se drafti aktual nuk e di nëse do të quhet Asociacion, por thekson se në të janë inkorporuar shqetësimet që i kanë pasur për këtë çështje. “Dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet Asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e Marrëveshjes Bazë,  respekton shqetësimet, Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë” – ka thënë Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës. E pyetur për deklaratën e saj ku e kishte shpallur të “vdekur” Asociacionin, ajo e hodhi fajin tek mediat, për të cilat beson se punojnë me tituj dhe jo me përmbajtje. “Ky është problemi kur edhe mediat serioze punojnë me tituj dhe jo me përmbajtjen e intervistave të përfaqësuesve politikë. Ne kemi folur për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015, i cili siç ka thënë dhe Gjykata Kushtetuese, shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në më shumë se 22 nene” – u mundua të arsyetohë ministrja. Arsyeja që e ka shtyrë Kosovën që të pranoi këtë model Asociacioni, për Gërvallën është e “thjeshtë”, pasi që, siç thotë ajo, modeli i ri “respekton Kushtetutën në këmbim të shtetësisë dhe sovranitetit Dikur si opozitar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kauzën më të madhe politike kishte pasur kundërshtimin për Asociacionin. Madje, për ta kundërshtuar këtë, ai dhe partia e tij kishin organizuar protesta masive dhe  hodhën gaz lotsjellës brenda hapësirave të kuvendit. Përveç këtyre, partia e tij në opozitë, kishte refuzuar që ta quante me emrin zyrtar Asociacion apo Bashkësi. Kishin zgjedhur që ta emërtonin në gjuhën serbe “Zajdenica”, e cila u kthye në parrullën më të famshme të kohës – “Zajdenica nuk kalon”. Tani si Kryeministër, Albin Kurti ka pranuar që ta zbatojë Asociacionin. Kjo u konfirmua nga vetë ai, por edhe liderët evropianë, të cilët pohuan se Kurti u ka premtuar se do ta zbatojë këtë mekanizëm. Në një konferencë për media javën e shkuar, së bashku me vartësin e tij, Besnik Bislimi, Kurti tha se drafti për vetë-menaxhimin apo Asociacionin që solli “pesëshja e madhe” më 21 tetor ,është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ky draft sipas Kurtit, ka paraparë që edhe të kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese.

Advertisement