Kosova
Kosovë-Serbi/ 3 muaj nuk zhbëjnë 100 vite
Kryeministri Kurti ishte këmbëngulës që marsi i këtij viti të ishte muaji që do të përfundonte marrëveshjen Kosovë-Serbi. Por, teksa jemi në prag të marsit, Kurti tani s’përmend ndonjë afat veçse shpreh optimizëm se ky vit mund të jetë viti i marrëveshjes.
Muaj më parë, Albin Kurti ishte treguar i ashpër edhe ndaj Përfaqësuesit të Lartë të BE-së me akuzën se hoqi dorë nga ky afat, për të cilin thoshte se e kishte propozuar vetë ai.
“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësuesit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Europian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”
Këtë deklaratë Kurti e kishte bërë kur kishte njëfarë tensioni mes tij dhe Borrellit për shkak të çështjes së zbatimit të vendimit për targat ilegale në veri të vendit.
Megjithatë, Kryeministri, që tani ka pranuar ftesën e Kryediplomatit europian për të diskutuar planin e BE-së përballë presidentit serb Vuçiç të hënën, nuk u ngut të flasë për ndonjë datë a muaj të caktuar kur u pyet se kur do të arrihet marrëveshja me Serbinë.
“Mendoj se takimi i ardhshëm do të tregojë se sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit. Unë jam optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, tha ai në një intervistë për France 24.
Për çështjen e afateve, pa entuziazëm, kishin folur edhe europianët, por edhe presidenti serb Vuçiç.
Emisari europian, Miroslav Lajçak, atë kohë pati përmendur një “afat të butë”, por thoshte se ishte kundër ultimatumeve.
“Afatet e fundit, apo ultimatumet asnjëherë nuk funksionojnë, ose funksionojnë kundër jush, por koha e artë është një afat i butë”, kishte thënë Lajçak.
Për afat ishte pyetur edhe shefi i diplomacisë europiane, Josep Borell, gjatë Samitit e BE -Ballkani Perëndimor.
“Nuk duhet të vendosim afate artificiale. Është koha që të nisim të punojmë. Nuk është e rëndësishme të caktojmë një datë, por të punojmë me shpejtësi”.
Nga ana tjetër Vuçiç ishte shprehur kundër një kohe të caktuar për arritjen e marrëveshjes.
“Është e paarsyeshme që të ketë një afat kohor. Të zgjidhim për tre muaj diçka që nuk kemi mundur ta zgjidhim për 100 vjet e më shumë. Dhe nëse nuk e zgjidhim brenda 3 muaj pastaj çfarë? Pastaj po i shkruajmë amendamente Shën Pjetrit që ai të shtyjë afatin edhe për tre muaj. Kjo është e pavlerë dhe e papërgjegjshme” –tha presidenti serb