Connect with us

Shkrime

Kosovë-Serbi/ Ka asociacion dhe pikë

Kryeministri i Kosovës ka pranuar se “ka Asociacion”. Pas kësaj, u hapën arkivat për t’i rikthyer Kurtit pjesë nga dekada e tij e kundërshtimit të “Zajednicës”, që për Lëvizjen Vetëvendosje, nuk duhej të kalonte, me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë. “Ka Asociacion” u dëgjua për herë të parë – publikisht nga Albin Kurti, por, sipas Zëdhënësit të tij, me këtë nuk ishte thënë “diçka e re”.

Edhe pas pranimit të Aneksit të marrëveshjes ne Serbinë në Ohër; edhe pas një postimi të Kryeministrit Albin Kurti ku thoshte se ia ka bërë një ofertë Presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës,  qeveritarët dhe zyrtarët e LV-së deklaronin se nuk do të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë thoshin se Kosova do të nisë formimin e Asociacionit, por Kryeministri s’po e quante kështu.

Pas 10 vjet kundërshtimi, një vit rezistence si Kryeministër, Kurti të mërkurën mbrëma në RTK e ka pranuar se “ka Asociacion”.

Pas kesaj, prej të parëve ka reaguar ish-Kryeministri Avdullah Hoti, i cili shoqëroi postimin me disa epitete.

“A paska Asociacion?! Mashtruesit. Të pabesët”, shkroi Hoti.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, që ka qenë një prej të arrestuarve, bashkë me Astrit Deharin, nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit, tha se Kurti, duke pranuar se “ka Asociacion” e braktisi aktivistin e vdekur.

“Ska më Albin Kurt. Ka veç Albin Zajednica, tash e tutje”, ka shkruar Krasniqi.

Kur reagimet në rrjetet sociale shpërthyen, turmës iu bashkëngjit edhe zëdhënësi i Qeverisë Kryeziu me një kundërreagim. Ai tha se Kurti ka qenë duke folur për marrëveshjet e arritura më herët e që me propozimin evropian, që ka pranuar kryeministri , duhet të zbatohen.

Ndonëse LV V-ja ka thënë se me ta në pushtet nuk do të ketë “Zajednicë”, Kryeziu tani thotë se Asociacioni është për shkak të dy nënshkrimeve të ish-liderëve kosovarë, Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Kryeministri Kurti nuk tha diçka të re lidhur me Asociacionin. Ai dha përgjigje për tërësinë e  Propozimit Evropian, përkatësisht për nenin 10 të tij i cili flet për të gjitha marrëveshjet e deritanishme, plot 39 sosh, shumicën e të cilave nuk i respekton e zbaton Serbia e për vetëm njërën ka vendim të Gjykatës Kushtetuese. Asociacion ndodhet te dy ish marrëveshje për shkak të nënshkrimeve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit që janë aty.

Në Kuvendin e Kosovës, dje Kryeministri Kurti raportoi për negociatat dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, më 18 mars.

“Në vilën e Josip Bros Titos [rezidenca ku u mbajt takimi i Ohrit], kasapit të shqiptarëve, Albin Kurti ka pranuar ato që ka thënë që s’i pranon” – u shpreh kryetari i PDK-së në Kuvend.

Ai nuk e sheh asociacionin si “tradhti kombëtare” të Kurti, por tha se kryeministri ka bërë tradhti ndaj “përkrahësve, votuesve dhe militantëve të tij”, që u ka thënë se nuk e pranon Zajednicen.

Në rrjete sociale, kritikues të Kurtit kanë publikuar gjithashtu edhe video nga deklarimet që Kryeministri i tanishëm ka bërë ndër vite, kryesisht si opozitar, kundër formimit të Asociacionit.

 

Advertisement