Kosova
Kosovë/ Ska tërheqje të njohjes së Pavarësisë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Në reagimi thuhet se nuk ka asnjë njoftim rreth këtij pretendimi.
“Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në komunikatën për media.
Presidenti Vuçiç ka deklaruar të mërkurën se Serbinë e presin sfida të vështira lidhur me Kosovën, ndërsa ka theksuar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë, që autoritetet e Kosovës shpallën më 2008.