Connect with us

Aktualitet

“Kosovo je Srbia”/ Terroristi rus që kërcënoi me bombë në aeroportin e Rinasit, GJKKO kalon çështjen në SPAK

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer në Prokurorinë e Posaçme dosjen penale të një shtetasi rus, i cili akuzohet se dërgoi një mesazh kërcënues për bombë në aeroportin e Rinasit. Sipas GJKKO, Prokuroria e Tiranës kishte dalë jashtë kompetencës së saj për hetimin e çështjes së rusit Vladislav Urban dhe hetimet ndaj tij për “kanosje për kryerjen e veprave penale me qëllim terroriste” duhet ishte regjistruar në SPAK.

Mesazhi kërcënues i 44-vjeçarit Urban u dërgua nga Greqia në dy adresa email-i të zyrës së Menaxherit Operacional në Rinas në shkurt të vitit 2023. Sipas “A2CNN” rusi kërcënoi se do të shpërthejë një bombë në aeroportin e Rinasit nëse qeveria shqiptare nuk njeh Kosovën si Serbi, po ashtu pretendoi se mori peng dy shqiptarë.

“Përshëndetje. Emri im është Vladislav Urban. Nëse po e lexoni këtë mesazh, atëherë ka një bombë në aeroportin tuaj. Ju duhet të kërkoni nga qeveria juaj që ta njohë Kosovën si serbe që të mos shpërthejë bomba. Dhe për të bërë si thashë, unë kam kapur dy shtetas shqiptarë dhe po i mbaj në shtëpinë time në Greqi në Nei Epivates, A… Nëse nuk respektoni, ata do të jenë në hall të madh. Keni 48 orë për të shpëtuar shumë jetë shqiptarësh“, shkroi ai.

“Kosovo je Srbia”, hetimi i nisur nga Prokuroria e Tiranës pas referimit të rastit tek anti-terrori dhe këqyrja e postës së dërguesit zbuloi se autori i tekstit ishte Vladislav Urban, i lindur në Moskë, Rusi dhe banues në Selanik, Greqi. Përmes bashkëpunimit me palën greke, është mësuar se 44-vjeçari jeton i vetëm në adresën e pohuar në email, se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe se trajtohet me mjekim nga psikiatri. Nga verifikimet e bëra në apartamentin e tij ka rezultuar se nuk kishte marrë ndonjë person peng. Por, Urban kishte precedentë të mëparshëm në kërcënimet me natyre terroriste në email.

Po ashtu, në vitin 2023 ai dërgoi emaile të shumta në Aeroportin e Athinës dhe në një spital në Greqi me përmbajtjen kërcënuese “Jam taleban dhe në emër të Allahut do të vras grekë”.  Nga verifikimet në TIMS, ka rezultuar se Vladislav Urban nuk ka asnjë hyrje-dalje në territorin shqiptar, ndërsa ndaj tij është caktuar një masë sigurie “arrest në burg”, në mungesë. Në hetimet paraprake gjyqtarja e GJKKO Rudina Palloi, arsyetoi se vepra penale për të cilën është hetuar rusi është kompetencë ekskluzive e SPAK. Në këtë mënyrë, gjykata konstatoi pavlefshmëri absolute të kërkesës për gjykim të Prokurorisë së Tiranës dhe kaloi dosjen në SPAK për vijimin e hetimit

Advertisement