Kosova
Krasniqi sulmon hapur Kurtin: Shkatërroi raportin me SHBA…
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për raportet e vendit me partnerët ndërkombëtarë.
Krasniqi thotë se aktualisht janë në nivelin më të ulët për shkak të qasjes së gabuar te qeverisjes se Kurtit.
“Në situatën të cilën jemi sot, kur Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga BE-ja, ku SHBA-ja në vazhdimësi dhe shumë herë e kanë shprehur shqetësimin për degradimin e raporteve të dëmtuara dhe ku s’ka asnjë vizitë zyrtare nga askush prej qeverisë, duke filluar nga ai në ShBA. Kjo të bënë të mendosh se situata aktuale është dëshpëruese në raport me miqtë tanë. Aventurat e Kurtit, qasja e tij problematike, kryesisht sa i përket raporteve me veriun dhe dialogu na ka sjellë një situatë të tillë”,
Kreu i PDK-se akuzoi kurtin për instrumentalizim të Policisë së Kosovës në veri për qëllime elektorale. Krasniqi tha per KOSOVA PRESS se nuk duhet të ketë një “luftë” për kontroll territorial në veri, pasi nevojitet fitimi i një beteje politike dhe diplomatike, pasi pa aleatët ndërkombëtarë nuk mund të imponohet asgjë.
“Andaj instrumentalizim, siç është thënë edhe nga Departamenti Amerikan, i policisë për të arritur qëllime momentale për fushatë zgjedhore nuk është i mjaftueshëm. Kjo është evidente, veprimet që po ndërmerren në situata të caktuara kanë dëshmuar një gjë të tillë”.
Krasniqi potencon se ura e Ibrit nuk mund të hapet për qarkullim për automjete pa mbështetjen e partnerëve strategjikë të Kosovës. Sipas tij, një gjë të tillë e ka ditur edhe kryeministri Kurti, por për qëllime elektorale ka tentuar të fitojë ndonjë votë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Problemi është i thjeshtë, urën e Ibrit nuk e kanë mbyllur shqiptarët e kanë mbyllur ndërkombëtarët. Sikur të ishte kjo vetëm një vendim i thjesht ish marrë 100 herë para zotëri Kurti. Ai e ka ditur edhe vetë se nuk mund të hapë urën për qarkullim të veturave vetëm që ka dëshirë, pasi dëshirë kemi pasur krejt para tij dhe do të duhej ajo urë të hapej. Mirëpo, nuk mund të bëhet një gjë e tillë në vakum dhe pavarur prej raporteve që kemi me ndërkombëtarët.”
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se është i domosdoshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi, pasi ky proces ndodhet në qorrsokak dhe se nuk mund të ecet tutje në këtë formë.
Ai thotë se pas konstituimit të strukturave të reja në BE dhe siç thotë me fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, dialogu do të marr dinamikë të re.
Krasniqi thotë se synim i kandidatit për kryeministër të PDK-së Bedri Hamza do të jetë arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.
“Këto ditë tashmë e dimë se Komisioni Evropian i propozuar do të merr mbështetjen dhe do të zgjidhet, por do të jetë në fund të dhjetorit. Për qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK-ja dhe Bedri Hamza do të ketë një qasje të re dhe resetim të dialogut për ta përfunduar një herë e mirë dhe për ta pasur një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ajo marrëveshje ka hapësirë për t’u ndryshuar, pavarësisht se neve na ka bërë obligim shtetëror zotëri Kurti. Unë jam i bindur se ne do të arrijmë që të kishim mbështetje ndërkombëtare për të pasur një proces që rikthehen fokusin te njohja e ndërsjellët”.
Ai akuzon Kurtin se i ka sjellë Kosovës një marrëveshje të keqe me Serbinë, e cila është e pamjaftueshme për vendin. Madje ai akuzon Kurtin se ka pranuar asociacionin, i cili sjell pushtet të tretë në Kosovë dhe autonomi për serbët në veri.
“Besoj se të dy palët sikur Serbia dhe Kosova s’janë të interesuar për ta zbatuar marrëveshjen, por vetëm me përdorë në mënyrë taktike për interesa të brendshme dhe konsum. Ky zotëri kryeministër bashkë me ministren e Jashtme e kanë pranuar atë asociacion me letrën dhe mënyrë klandestine siç e kemi parë me deklarimin e presidentes që i kanë dërguar shteteve duke iu thënë se pranona Këshill të Evropës se ne do të zbatojmë”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se do të jenë fitues në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen më 9 shkurt 2025. Ai thekson për KosovaPress se kauza e tyre zgjedhore do të jenë temat që prekin direkt qytetarët sikurse mirëqenia, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia.