Connect with us

Shkrime

Kremlini: Kosova s’ka status pa Rusinë

Ambasadori rus: Statusi final për Kosovën përcaktohet pas përfundimit të konfliktit Perëndim-Rusi

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko deklaroi se “statuti përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet” siç tha ai  “në kushte të tjera gjeopolitike”, pas përfundimit të “konfliktit me Perëndimin në territorin e Ukrainës”, ku ”Rusia me siguri do të fitojë”.

Në një intervistë për agjencinë Beta, ambasadori tha se e kupton që propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Sipas tij, në dallim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plani franko-gjerman nuk është bazë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës dhe ky plan, si gjithë të mëparshmit, parasheh lëshime të njëanshme nga Beogradi, në radhë të parë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara. Për Botsan-Kharchenko, plani franko-gjerman në thelb përfaqëson njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

“Perëndimi këmbëngul hapur se Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha ambasadori rus

I pyetur për të komentuar qëndrimin e presidentit serb Aleksandçr Vuçiç se ai do të marrë pjesë në procesin e zbatimit të propozimit franko-gjerman, Kharchenko tha se ai di që Beogradi është pjesërisht I gatshëm për të vazhduar bisedimet bazuar në atë propozim.

“Unë mendoj se për presidentin e Serbisë vetëm disa pika të atij plani janë të pranueshme për diskutim dhe zbatim. Në çdo rast, pikat që parashikojnë njohje ndërkombëtare janë vijë e kuqe për Serbinë” – tha ambasadori.

Botsan-Kharchenko duke iu përgjigjur pyetjes, nëse Rusia në Këshillin e Sigurimit do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, në qoftë se presidenti Vuçiç pranon të gjitha pikat e planit franko-gjerman, tha se për Rusinë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, çdo gjë do varet nga pozicioni i Beogradit.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë, presidenti Vuçiç ishte i vendosur dhe i qartë se e hodhi poshtë planin franko-gjerman. Nuk e di pse media të caktuara theksojnë se Vuçiç mund ta pranojë atë plan kur tha se është i papranueshëm për Beogradin. Nuk mendoj se ka as më të voglin mundësi që Serbia të pranojë planin franko-gjerman”, tha Kharchenko.

Por, cilat do të ishin kushtet, në bazë të cilave Rusia do të pranonte që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së? Sipas ambasadorit, tani është e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetje, pasi askush në këtë moment nuk e di se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës. Sipas tij, ajo do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të lindin pas përfundimit të konfliktit mes Perëndimit të përbashkët dhe Rusisë.

“Në kushtet aktuale gjeopolitike, nuk është e mundur një zgjidhje afatgjatë për disa çështje të hapura rajonale, përfshirë edhe Kosovën ”, theksoi ambasadori rus, teksa edhe shtoi se kushtet e reja gjeopolitike do të jenë rezultat i “të gjitha ngjarjeve” në skenën ndërkombëtare.

Aleksandër Botsan-Kharchenko u shpreh I bindur në fitoren e Rusisë, pasi sipas tij, ajo nuk po bën luftë kundër Ukrainës, por është në konflikt me Perëndimin në territorin e Ukrainës. Sipas tij, siguria evropiane në tërësi do të varet nga rezultati i këtij konflikti. Sipas mabasadorit, do të vendoset një rend i ri ndërkombëtar multipolar, në të cilin Perëndimi nuk do të luajë më një rol vendimtar.

“Tani Uashingtoni po përpiqet ta zgjidhë çështjen e Kosovës përmes planit franko-gjerman, por në rrethanat e tjeraqë do vijnë kjo do të jetë e mundur”, tha ambasadori rus.

I pyetur se përse Kremlini nuk është e përfshirë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai tha se Rusia është përfshirë në mënyrë aktive në zgjidhjen e këtij problemi që nga dita e parë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Për të, “për shkak të marrëdhënieve armiqësore mes Rusisë dhe Perëndimit, një format i përbashkët sot nuk është i mundur, por Kosova është ende në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Ambasadori theksoi se zgjidhja përfundimtare për Kosovën nuk është e mundur pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë moment.

Duke folur për marrëdhëniet politike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ambasadori rus tha se këto marrëdhënie janë mbajtur në nivel të lartë, pavarësisht konfliktit.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është se Beogradi nuk vendosi sanksione ndaj Federatës Ruse, pavarësisht presionit nga Perëndimi. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin e pavarur të Beogradit për këtë çështje”, – tha Kharchenko.

Megjithatë, ambasadori u shpreh se Kremlini u ndje “e zhgënjyer” kur Serbia votoi për rezolutën e OKB-së që dënonte “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.

“Pavarësisht nga këto pengesa, ne vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunim të mirë me Serbinë”, theksoi Kharchenko dhe shtoi se kjo është e vërteta, pavarësisht se ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar se lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë po dobësohen dita-ditës

“Diplomatët perëndimorë nuk kanë asnjë provë për të konfirmuar tezat e tyre kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ruso-serbe. Kemi shumë dëshmi se marrëdhëniet tona po zhvillohen”, tha ambasadori rus.

Ai hodhi poshtë edhe një deklarim të agjencisë “Beta” se presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Për të, “qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiç momentalisht kanë një qëndrim të prerë se sanksionet nuk duhet të vendosen ndaj Rusisë”

“Shumica absolute e popullit serb është kundër vendosjes së sanksioneve dhe dihet se presidenti Vuçiç para së gjithash merr parasysh mendimin e popullit”, tha ambasadori.

Nga ana tjetër, ai nuk ‘harroi’ të thotë se “shumë vende që vendosën sanksione ndaj Rusisë pësuan automatikisht dëme më të mëdha ekonomike se Rusia”.

I pyetur nga gazetari I Agjencisë Beta, nëse është realiste që Serbia të qëndrojë politikisht neutrale për shkak të rrethanave të reja ndërkombëtare pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Botsan-Kharchenko tha se këtë status e ka konfirmuar presidenti Vuçiç.

Sipas tij, Serbia është përballur me probleme përsa i përket integrimit evropian. Nga njëra anë Perëndimi po kërkon nga Beogradi të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën. Nga ana tjetër ata kanë prioritet që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për të thyer miqësinë tradicionale mes dy vendeve

Advertisement