Sport
‘Krenar me ty’/ Xhaka i nominuar për Top të Artë, babai i mesfushorit shqiptar i emocionuar
Granit Xhaka u nominua për Top të Artë, pas një viti fantastik. Babai i mesfushorit me origjinë shqiptare, Ragip Xhaka ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku u shpreh se është krenar për arritjet e lojtarit.
“Sot është një ditë e veçantë dhe e mbushur me krenari të madhe për mua dhe familjen tonë. Djali im, Graniti, është nominuar për çmimin prestigjioz Ballon d’Or. Ai është i pari shqiptar dhe në të njëjtën kohë lojtari i vetëm zviceran që ka arritur këtë nivel në botën e futbollit, dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të emocionuar.
Puna e palodhur, përkushtimi dhe sakrificat e tij kanë bërë që ëndrrat të realizohen dhe emri i shqiptarëve të shkruhet në histori. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë që i keni dhënë Granitit ndër vite.
Urime Granit, krenaria jonë!”, ka shkruar babai i Xhakës.