Connect with us

Politike

Kreshnik Spahiu: Karriera politike e Metës është mbyllur, procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj tij nuk përfundon para…

Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për Sali Berishën sa i takon pasurisë, por edhe për mbylljen e hetimeve të aferës “Partizani”, ku është implikuar ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Spahiu shprehet me siguri se karriera e ish-presidentit Ilir Meta ka mbyllur ciklin e saj. Procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj zotit Meta, që do të zgjatet deri në vitin 2027, thekson juristi Spahiu, shënon një pikë kthese që e paralajmëron atë për një rrugë të vështirë përpara.

Më tej juristi zoti Spahiu e shikon mjaft të gabuar qasjen e Metës ndaj prokurorëve të SPAK dhe veçanërisht Altin Dumanit gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme. Spahiu vë në dukje se as mafia nuk e ka kërcënuar në gjykatë prokurorin, ashtu siç bëri Meta me Dumanin dhe Arben Krajën. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, juristi Spahiu trazon ujërat duke e krahasuar situatën me modelin “Sanader” të Kroacisë, teksa nënvizon se Shqipëria mund të përballet me zhvillime të ngjashme. Për më tepër, ai paralajmëron se SPAK ka në duar prova që mund të sjellin një goditje të fortë edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, e cila sipas tij, do të tronditë thellësisht opinionin publik.

-Zoti Spahiu, ish-presidenti Ilir Meta është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Çfarë ndikimi mund të ketë arrestimi i Metës mbi stabilitetin politik në Shqipëri dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Arrestimi i Metës është çelsi për të hapur derën kryesore brenda BE-së. Ashtu si arrestimi i ish-kryeministrit Sanader futi Kroacinë në BE, ashtu si arrestimet e kryeministrave futën Sllovakinë, Rumani, Bullgari, ashtu do fusin dhe Shqipërinë. Arrestimi i Metës është pritur si lajm magjik nga populli, si shpresë për të mbyllur kapitullin 34-vjeçar. Pluralizmi politik ishte peng i establishmentit. Arrestimi i Metës dhe Berishës heq dy tullat kryesore për të fundosur murin që pengonte elitat e reja politike në Shqipëri.

-Si i interpretoni kërcënimet e tij ndaj prokurorëve të SPAK-ut dhe a besoni se këto mund të ndikojnë në procesin hetimor?

Ilir Meta ka fituar çdo betejë me drejtësinë duke joshur apo kërcënuar. Meta e priti aktin e fundit politik në jetë pa integritet. As Fatos Nano, as Nexhmije Hoxha, as Ramiz Alia nuk e kanë pritur pa dinjitet arrestimin. As mafia nuk kërcënon prokurorët në sallën e gjyqit siç bëri Meta me kreun e SPAK, Altin Dumani. Në fakt, Meta nuk është diskriminuar, por është favorizuar nga prokuroria, sepse çdo qytetar i thjeshtë po të shantazhonte prokurorët do t’i rëndohej akuza.

-Duke marrë parasysh akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe deklarim të rremë, sa vite burg rrezikon Ilir Meta sipas ligjeve shqiptare dhe si mund të ndikojë kjo në karrierën e tij politike në të ardhmen?

Karriera politike e Ilir Metës është mbyllur për disa arsye juridike të ligjit të dekriminalizimit. Ligjërisht, Meta, edhe me 1 ditë burg po u dënua, nuk e lejon ligji të kthehet në politik. Procesi hetimor dhe gjyqësor nga shtetasit Meta nuk përfundon para vitit 2027. Ilir Meta ka hyrë në tunelin e errët pa kthim.

-Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar seancën paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe katër të pandehurit e tjerë. Seanca do të mbahet më 25 nëntor. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka përfunduar hetimet për 5 të pandehurit e dosjes “Partizani”. Sali Berisha është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Çfarë pritet të ndodhë dhe rrezikohen pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha?

Më 25 Nëntor, Gjykata do ta kalojë çështjen “Partizani” për gjykim. Pozita procedurale e Berishës as nuk do të rritet dhe as nuk do të lehtësohet. Ndërkohë, ajo që mund të jetë surpriza që do të trondisë opinionin mund të jetë dosja tjetër e 21 janarit. Personalisht mendoj se vrasjet janë më të rrezikshme dhe më të domosdoshme të hetohen sesa vjedhjet dhe korrupsioni. Politikanë që marrin ryshfet ka gjithë bota dhe Europa, por politikanë që vrasin gjen shumë rrallë.

-Ndërkohë, teksa shohim dosjen që SPAK ka dërguar në GJKKO, bie në sy se hetimi për pastrim parash për Sali Berishën janë të ndara nga dosja “Partizani”, pra është një fraksion më vete. Si e vlerësoni punën e SPAK-ut në hetimin pasuror të Sali Berishës dhe cilat janë faktorët që e bëjnë këtë hetim të veçantë në krahasim me të kaluarën?

Mendoj që SPAK po përgatit akuza të reja kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, prandaj mbahen të ndara si çështje.

-Po sulmet e Berishës ndaj SPAK-ut si i shihni? A janë kërcënime nga frika e hetimeve?

Sulmet ndaj SPAK-ut janë “fisheku” i fundit. Berisha s’ka më aleat ndërkombëtar, s’ka më miq në perëndim, s’ka mbështetje në diasporë, s’ka partner në Kosovë, s’ka vota në Shqipëri, s’ka protestues që mbushin sheshet, s’ka prova dhe argumenta, s’ka kauza. E vetmja gjë që i ka mbetur është hakërrimi.

-Po kaosin e krijuar nga opozita në Parlament dhe kërcënimet për mosbindje civile si e shikoni?

Lufta e PD në Parlament nuk është kundër Edi Ramës, por për të asgjësuar partitë e tjera opozitare dhe për të mbajtur peng llogoren. PD është pengesa kryesore për rezistencën e Ramës. Populli urren më shumë Sali Berishën se Edi Ramën. Populli opozitar nuk bashkohet me Berishën. PD është parti e konsumuar që duhet të ulë qepenat. PD e ka mbyllur misionin. E vetmja ide politike që i ka ngelur është çakmaku dhe shkrepësja.

Advertisement