Connect with us

Aktualitet

Kreu i KLP-së bën bilancin: Nevojiten 105 prokurorë të rinj në sistem

105 prokurorë të cilët mungojnë për shkak të procesit të Vettingut, vetëlargimeve apo daljes në pension, pritet të zëvendësohen në një periudhë prej 4 deri në 5 vite. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, i kërkoi Kuvendit një mekanizëm zhbllokues për të plotësuar sa më shpejt vakancat. Teksa ka raportuar te Ligjet, ai tha se Vettingu ka krijuar një boshllëk të madh në radhët e Prokurorisë.

Balla shtoi më tej se asnjëherë nuk kanë arritur 341 prokurorë të plotë sipas strukturës. “Presim 105 prokurorë të futen në sistem në këto 4-5 vite. Asnjëherë nuk kemi arritur të kemi 341 prokurorë të plotë, sipas strukturës. Kujtoj janë ende 70 prokurorë që s’kanë përfunduar Vettingun”, tha Alfred Balla.

Për të zgjidhur problemin e vakancave, Balla kërkoi nga ligjvënësit të gjendet një mekanizëm zhbllokues, për të afruar më shumë prokurorë nga magjistratura.

“Për këtë vit që kërkuam 40 kandidatë nga magjistratura, na kanë kaluar 26. Kalueshmëria në procesin e Vettingut për prokurorët ka nivelin 54%, ndërsa mbeten dhe 70 prokurorë ende në proces. Në vitin 2022, nga Vettingu në total janë konfirmuar 91 prokurorë, u shkarkuan 50. Që prej nisjes së Vettingut u dorëhoqën 21 prokurorë, 11 kanë dalë në pension”, tha Balla.

Kreu i KLP, shtoi se janë 8 prokurorë të cilët kërkuan mbrojtje për jetën gjatë vitit 2022. “U morën masat për mbrojtjen e tyre. Sot prokurorët më të mbrojtur se kurrë”, shtoi më tej ai.

Në Komisionin e Ligjeve raportoi dhe Artur Metani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tij, gjatë vitit 2022 u trajtuan 1 715 ankesa, ndërsa evidentoi si problematikë mungesën drastike të inspektorëve. “Sot nga të prapambeturat; rastet janë 345 ankesa, dhe ne me ritmin që po ecim mendojmë që deri në fund të 6-mujorit ne heqim dhe çështjen e ankesave të prapambetura. Deri në fund të vitit, po përpiqemi të heqim dhe ankesat e vitit 2020-2021…”, tha Metani.

Advertisement