Aktualitet
Kreu i SPAK zbulon detaje nga sulmi në Top Channel
Kryeprokurori i posaçëm Altin Dumani, gjatë takimit të përmuajshëm, off record me gazetarët e drejtësisë ka folur për sulmin e armatosur ndaj Top Channel dhe se hetimet po i monitoron SPAK.
Megjithatë, Dumani ka shtuar se deri më tani kjo çështje i takon prokurorisë së Tiranës për t’u hetuar.
“Që në orët e para të mëngjesit, kam kontaktuar në telefon drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. I kam ofruar mbështetjen e plotë të strukturës së posaçme. Më ka thënë se po kryheshin veprimet e para hetimore. Kam vendosur të dërgoj në analizën e bërë në drejtorinë e policisë, një prokuror dhe oficer të policisë gjyqësore. Megjithëse është çështje në kompetencë të prokurorisë së Tiranës, edhe ne jemi aty, po bëjmë veprimet tona, dhe nëse do dalë diçka, do kemi veprime”
Kryeprokurori është referuar para gazetarëve edhe për hetimet ndaj Arben Ahmetaj , për të cilin janë përcjellë letërporosi jashtë Shqipërisë dhe se prokurorët kanë pritshmëri se do të përftojnë të dhëna interesante
“Nuk i marrim leje kurrkujt, e thërrasim, kushdo të jetë për ta marrë në pyetje Arben Ahmetajn apo kushdo që të jetë. Kontrollet janë në dinamikën e hetimit ku grupi vlerësoi se në këto ambiente mund të gjendeshin prova. Kemi gjetur prova. Sekuestro është preventive, masë sigurie me qëllim me qëllim që mos tjetërsohet pronësia. Në verifikim është çdo gjë. Kemi nisur letërporosi në shumë shtete jo vetëm në një shtet. Kërkon kohë. Ka që janë përgjigjur, ka që janë në proces, hetimi përfshin çdo gjë (përfshirë edhe mundësinë e fshehjes së pasurisë jashtë). Patjetër që do e thërrasim Ahmetajn, nëse do e shikojmë të nevojshme”.
Për inceneratorin e Tiranës, Dumani pranoi se prokurorët kanë hasur në vështirësi.
“I takon prokuorit të çështjes. E para, ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të madh. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet të gjendet pronari real, se nesër/pasnesër të çon në arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por e para, prokurori konstaton paligjshmëri dhe më pas nxjerr përgjegjësit”.
Dumani i është përgjigjur një pakete pyetjesh, duke nisur nga MC Gonigall deri tek Ervis Martinaj.
“Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e ‘Don Boskos’, ‘u ngjall’ apo ‘nuk u ngjall Ervis Martinaj’. Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore. Kemi sekuestruar pasuritë dhe kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë”.
Dumani ka treguar se për Stela Gugallën po priten përgjigjet nga jashtë, kurse për sekuestrot në portin e Limanit ka folur dhe për pronat e ushtrisë. Por mbi të gjitha sipas kryeprokurorit, edhe pritshmëritë e tij, janë ndaj vetë prokurorëve që kanë këto çështje nën hetim.