Connect with us

Aktualitet

KRISMAT E KRYEMINISTRIT – ME BARUT TË LAGUR

Druaj se kjo gjuhë (selektive) e komunikimit e kryeministrit të shumëpushtetshëm të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Miskoski, është larg aspiratave deklarative për një shoqëri të barabartë e në mirëqenie, ndërkohë që realiteti në terren, nga dita në ditë, po bëhet gjithnjë e më i hidhur: Këtu e gjashtë vjet më parë, nëse iu kujtohet, golashënuesi i Përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Erxhan Alioski, ishte përzënë nga një restorant në qytetin e tij të lindjes, Prilep, për shkak se pronari e kishte dëgjuar duke folur  shqip me prindërit e tij! Diçka e ngjashme si me Drejtorin e Inspektoratit të Gjuhëve, Arsim Idrizi. I ka fajet edhe për këtë Bujar Osmani?!

Shkruan: Seladin Xhezairi

Të merremi vesh: Kjo që po e bën nga dita në ditë Kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me moszbatimin e ndryshimeve kushtetuese, për t’i përfshirë edhe bullgarët në të, mund të jetë qëndrim legjitim i shumicës parlamentare të përbërë nga VMRO-DPMNE-VLEN-ZNAM. Është e drejtë e tyre që, natyrisht ka çmim. Të mirë, apo të keq, mund të shitet lirë, ama mundet edhe shtrenjt. Mirëpo, një gjë shpërfaqet me gjithë vrazhdësinë e vet: Etiketimi i vetëm dhe VETËM Bujar Osmanit, ish-ministër i Jashtëm, për pranimin e të ashtuquajturit propozim francez që ndërkohë u bë edhe propozim-kusht i BE-së për zhbllokimin e negociatave për aderimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.

Këtë javë Mickoski, duke folur për marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe kundërshtimin e politikanëve bullgarë për rinegociimin e marrëveshjes së arritur, deklaroi se pas kërkesës për ndryshime kushtetuese, në të vërtetë fshihet një përpjekje për inxhiniering identitar – për krijimin e kombit të ri maqedonas, të formuar me vendim të Kominternit në vitin 1945, gjuha maqedonase e të cilit mbështetet mbi rrënjë bullgarë. Dhe, hiq më pak e hiq më shumë, i pari i Qeverisë ka akuzuar ish-kryediplomatin, Bujar Osmani, se e paska ditur këtë kur e ka pranuar propozimin francez:

Edhe ai e dinte saktësisht çfarë po bënte. E nguli thikën direkt në mushkëritë e identitetit maqedonas dhe e nguli gozhda. Direkt. Dhe këtë nuk do ta harrojmë. Këtë kurrë nuk do ta harrojmë. Duke e pranuar propozimin francez, ai direkt nguli gozhda në duart dhe këmbët e identitetit maqedonas. Mirëpo, ne do të luftojmë – kudo do të luftojmë,” – ka thënë H. Mickoski.

Po t’i rikthehemi funksionimit të shtetit, bazave kushtetuese e ligjore, ashiqare duket se shefi i qeverisë maqedonase të shtënat kundër Bujar Osmanit i ka – me barut të lagur! Ja, përse: Vendimi për pranimin e propozimit francez ka qenë vendim i Qeverisë. Kjo një, dhe e dyta: Me Kushtetutë dhe me Ligjin për Punët e Jashtme, organe për kryerjen e punëve të jashtme janë Presidenti, Kuvendi, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme si dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pikë!

Tani, të lakosh në vazhdimësi emrin e të fundit, pra të Bujar Osmanit, e të “amnistosh” të tjerët, kërkoj falje, ama interpretim tjetër nuk mund të ketë përveç një urrejtjeje e cila, me paraqitjen e fundit, po shndërrohet në “thirrje për linçim” të një politikani i cili nuk është nga tajfa e tij. Pse është shqiptar? Kështu i bie, apo jo?

Direkt!

E, do të duhej që kryeministri Hristijan Mickoski, të ndrydh qëndrimet e tij emocionale, pa çka se qëllimet e tij (selektive!) për qërrim hesapesh politike  duken që nga larg. Për shkak se kudo në botën e qytetëruar beteja është pozitë-opozitë e jo si aktualisht dhe pikërisht në Maqedoninë e Veriut: Kryefajtore, si një kuçedër a gogol, kryeministri maqedonas Mickoski na nxjerr vetëm një parti shqiptare(BDI-në) e cila në të kaluarën ka bashkëqeverisur edhe me VMRO-DPMNE-në, edhe me LSDM-në.

Sidoqoftë, druaj se kjo gjuhë (selektive) e komunikimit e kryeministrit të shumëpushtetshëm të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Miskoski, është larg aspiratave deklarative për një shoqëri të barabartë e në mirëqenie, ndërkohë që realiteti në terren, nga dita në ditë, po bëhet gjithnjë e më i hidhur: Këtu e gjashtë vjet më parë, nëse iu kujtohet, golashënuesi i Përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Erxhan Alioski, ishte përzënë nga një restorant në qytetin e tij të lindjes, Prilep, për shkak se pronari e kishte dëgjuar duke folur  shqip me prindërit e tij! Diçka e ngjashme si me Drejtorin e Inspektoratit të Gjuhëve, Arsim Idrizi. I ka fajet edhe për këtë Bujar Osmani?!

Advertisement