Shkrime
Kritika konstruktive dhe propaganda anti-SPAK

Fakti që SPAK është institucioni më i suksesshëm në historinë e shtetit shqiptar në luftën anti-korrupsion në nivelet e larta të politikës e bën akoma më të domosdoshme kritikën dhe monitorimin e standarteve të tij.
Kritika ndaj SPAK në këtë rast ishte mëse e drejtë dhe konstruktive sepse nxorri në pah një problem themelor të legjislacionit që rregullon punën e këtij institucioni. Ishte një hap i parë për të nxitur përmirësimin e këtij legjislacioni qoftë nga ana e parlamentit, qoftë nëpërmjet çuarjes në Gjykatë Kushteuese të neneve të kodit të Procedurës Penale që i lejojnë prokurorëve të SPAK përgjimin e gjykatave pa leje nga një gjyqtar, aq më tepër në rastet kur SPAK është palë në çështjen në gjykim.
Fatkeqësisht rasti i rëndë i përgjimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e SPAK nuk prodhoi asnjë debat konstruktiv në hapësirën tonë mediatike dhe publike mbi mënyrën se si duhej apo mund të përmirësohej legjislacioni që e rregullon veprimtarinë e SPAK, në mënyrë që ky institucion të mos prodhojë shkelje demokratike dhe kushtetuese.
Shumë nga mediat tona, si majtas dhe djathtas, e përdorën rastin e përgjimit të Gjykatës Kushtetuese thjesht si një evidencë më shumë që SPAK është një institucion anti-demokratik veprimtaria e të cilit përqëndrohet thjesht në dhunimin e të drejtave të njeriut. Një interpretim që si qëllim kryesor ka delegjitimimin e SPAK dhe jo përmirësimin e tij.
E njëjta gjë ndodhi me përgjimet tashmë të famëshme të kryebashkiakut Veliaj në qelinë e tij. Mbi to u ngrit një tymnajë mediatike, edhe me ndihmën e mediave pro-SPAK, sipas të cilës evidencat e këtyre përgjimeve ishin argumenti kryesor i SPAK për të justifikuar qëndrimin e kryebashkiakut Veliaj në paraburgim.
E gjitha rezultoi një flluskë sapuni, pasi nga përgjimet ishte e vështirë të identifikohej ndonjë shkelje ligjore apo etike nga ana e kryebashkiakut Veliaj. Kërkesa e që ai i bënte familjarëve për të kontaktuar gazeta apo gazetarë vendas që të publikonin versionin e tij të ngjarjeve nuk ishte as anti-ligjore, as imorale dhe as nuk përbënte kërcënim për hetuesit e SPAK. Pra nuk kish asgjë skandaloze në këto përgjime.
Pikërisht këtu filloi propaganda anti-SPAK. Shpërthimi i kësaj flluske u identifikua në mjaft media si evidencë e dobësisë së provave që kishte SPAK për të mbajtur në paraburgim kryebashkiakun Veliaj. Të krijohej përshtypja se Veliaj po mbahej në paraburgim sepse i kish kërkuar disa familjarëve të kontaktonin disa gazetarë.
Në fakt vendimi i gjyqtarit Pëllumbi për ta mbajtur në paraburgim kryebashkiakun nuk bazohej tek këto përgjime. Dy argumentet kryesore të këtij vendimi ishin posti i Veliajt si kryebashkiak dhe rreziku për tu arratisur. Ndonëse mbrojtja e kryebashkiakut mund të mos jetë dakord me këto argumente, ato janë të arësyeshme dhe jo spekulative.
Arratisja e zyrtarëve të lartë socialist të hetuar nga SPAK nuk është fantazi. Është një fenomen që përditë na e kujton Arben Ahmetaj me intervistat e tij që kanë si synim njollosjen e Ramës por jo zbardhjen e skemave korruptive të pushtetit socialist që Ahmetaj i njeh mirë. Ndaj nuk bëhet fjalë për një argument spekulativ.
Ashtu sikurse pozicioni i Veliajt si kryebashkiak e bën shumë të vështirë hetimin e tij në gjendje të lirë nga SPAK. Një kryebashkiak ka pushtet të mjaftueshëm për të bllokuar një hetim që ka si dëshmitarë vartës të tij apo biznesmenë që përfitojnë nga buxheti i bashkisë. Në këto kushte vendimi nuk është aspak skandaloz edhe pse të shumtë janë ata që mund ta argumentojnë si të padrejtë.
Ajo që është skandaloze është fakti që zyrtarët e lartë dhe politikanët shqiptar nuk dorëhiqen nga postet e tyre kur janë duke u hetuar nga drejtësia për vepra të rënda sic është korrupsioni apo pastrimi i parave. Dorheqja nuk nënkupton fajësi por transparencë dhe garanci për një proces hetimor që bëhet pa presione politike dhe administrative.
Pafajësia e fituar në këto kushte është shumë më e besushme se pafajësia e marrë ndërkohë që një politika është zyrtar i lartë, deputet apo udhëheqës i opozitës. Ndaj ky duhet të ishte standarti demokratik dhe politik bazik që duhet krijuar nga mediat tona.
Fatkeqësisht më shumë se të rreshtuara përkrah standarteve demokratike mediat tona rreshtohen përkrah kampeve politike. Për këtë arësye kritika që ato i bëjnë SPAK edhe kur fillon nga baza konstruktive shumë shpejt kthehet në një propagandë që më shumë se sa për drejtësinë merakost për riprodhimin e kënetës politike në të cilën media vegjeton.
Blendi Kajsiu

