Connect with us

Kosova

Kriza institucionale në Kosovë, Kurti: Do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do ta pranojë vendimin e ardhshëm të gjykatës më të lartë të vendit në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të vendosë më së largu deri më 8 gusht lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodhë pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm I madh që Kosova nuk ka Kuvend”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite në një klinikë të QKUK-së.

Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja i urdhëroi deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, në lidhje me bërjen e Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.

 

 

Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e partisë fituese për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Advertisement