Aktualitet
Kryebashkiaku i Himarës viziton në spital Kryepeshkopin Anastas: Lutem për rikthimin…
ATHINË – Kryepeshkopi Anastas ndodhet në spital prej 30 dhjetorit 2024 pasi u prek nga një virozë gripale e cila i shkaktoi komplikacione shëndetësore. Pas trajtimit në Tiranë, ai u dërgua për mjekim të specializuar në një spital të Athinës më 3 janar 2025, ku u shtrua në spitalin ‘Ungjillëzimi’.
Ai iu nënshtrua edhe një ndërhyrje kirurgjikale pasi pësoi hemorragji gastrike. Gjendja e tij paraqitet e rëndë, por në kontroll mjekësor.
Sot, Kryepeshkopi i Shqipërisë është vizituar në spital nga kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo. Ishte vetë ky i fundit që njoftoi vizitën në Athinë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Tavo, shprehet se i uron shërim të shpejtë Fortlumturisë dhe rikthim sa më të shpejtë në punën dhe misionin e tij të bekuar
“Sot zhvillova një vizitë në Spitalin Evangjelismo në Athinë për t’u interesuar për gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Duke i uruar shërim të shpejtë lutemi për Fortlumturinë e Tij, për rikthim sa më të shpejtë në punën dhe misionin e tij të bekuar duke kujtuar e nderuar përgjithmonë kontributin e jashtëzakonshëm e të pashoq që ai ka dhënë prej dekadash në forcimin e besimit, jetën kishtare dhe në shoqërinë në tërësi”, shkruan Tavo në Facebook.