Connect with us

Shkrime

Kryeministër Albin Kurti, për një plesht nuk ia vlen të digjet jorgani

”Luftëtari i dritës mendon njëkohësisht për luftën dhe paqen dhe di të sillet sipas rrethanave” Pauelo Coelho, Manual i Luftarit të dritës. f.55

Nga Mr.sc. Metush Zenuni

Tashmë gati jemi në përfundim të fushatës elektorale në shtetin fqinjë, Maqedoninë Veriore. Në këtë shtet jetojnë afër 50% shqiptar dhe doemos ndikimi i tyre tek partitë politike në Kosovë ka pasur efekt.

Në Maqedoni, elektorati shqiptar është ndarë në dy taborre.
Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN janë dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që mbahen më 24 prill dhe 8 maj. Fronti Europian- i cili udhëhequr nga BDI dhe Lideri i saj Ali Ahmeti, një ish Lider i dikurshëm i LPK-së, njëri nga themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, në këto zgjedhje vendosi që koalicioni Fronti Evropian të përfshijë partitë më të vogla shqiptare dhe të bashkësive të tjera etnike. BDI-ja tashmë ka bërë koalicion me Partinë Demokratike Shqiptare, Partinë “Populli” dhe Partinë Demokratike Evropiane dhe me partitë e vogla të minoritetit turk, boshnjak dhe romë.
Katër partitë opozitare shqiptare për zgjedhjet parlamentare janë rreshtuar në koalicionin VLEN që përbëhet nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët e kandidatit për president Arben Taravari dhe partia Alternativa. Qëllimi i këtij koalicioni është “ndryshimi”, përkatësisht largimi nga qeveria i Bashkimit Demokratik për Integrim, që është në pushtet prej 22 vjetësh.
Koalicioni VLEN vlerëson se shqiptarët kanë nevojë për “ndryshimin e madh” që do të ndodhë në zgjedhjet e dyfishta .
Sipas asaj që deri sot kam përcjellur përmes mjeteve vizive, Fronti Europian i udhëhequr nga Ali Ahmeti, ka arritur mjeshtërisht të luaj në fushën taktike të bashkimit politik, duke ofruar në këtë Front, ish Liderin e dikurshëm të pa konkurrent të PDSH-se, z. Menduh Thaqi, i cili megjithë problemet organizative me partinë e tij, është njeri me ndikim jo vetëm tek shqiptarët në Maqedoni, por edhe në Kosovë dhe botën shqiptare përgjithësisht. Poashtu në Front është bashkuar edhe Lideri i Aleancës për shqiptarët -ASH, z. Zjadin Sela, i cili para disa vitesh erdhi në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni me pompozitet e si vlerë e shtuar, por që nuk mundi të qëndrojë gjatë në partinë e tij, pas qarjeve të tij me z.Arben Taravari. Goditjen e fundit kundër VLEN-istëve, sipas mendimit tim, Fronti i ka bërë me koalicionin e tij të partive minoritare në Maqedoni, i cili pos që do të derivojë vota të konsiderueshme në shtetin me më shumë minoritete në Ballkan, do të ketë ndikim edhe në përqindjen e votave në partitë Maqedone, e mbi të gjitha do të ketë ndikim tek shtetet Europiane dhe SHBA, të cilat e llupë e përcjellin çdo lëvizje politike të BDI-së, si ish- parti e dalur pas luftës në këtë shtet në vitin 2001.
Koalicioni VLEN, duke qenë opozitë brenda shqiptare, një Koalicioni i partive e grupimeve të vogla, e cila si strumbullarë e ka partinë pro Islamiste BESA, e cila udhëhiqet nga Bilall Kasami, një ish anëtar i BDI-së, pa ndikim politik dhe autoritativ tek shqiptarët e Maqedonisë, ish aleat në disa zgjedhje i partive Maqedone , VMRO e LSDM, fundamentalist islamik dhe i lidhur ngushtë me pushtetin në Turqi, pastaj njërin nga udhëheqësit e Aleancës, Arben Taravari, poashtu me ide islamiste, i kandiduar për President nga ky Grupim politk, pastaj të vetëpërjashtuarit nga BDI, z. Izet Mexhiti, Fatmir Limanin dhe ndonjë kuadër periferik të BDI-së. Përparësia e këtij Koalicioni është se në krah të tyre qëndron formalisht edhe partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të cilën përparësi, ky koalicion po mundohet ta shfrytëzojë sikur kokrrama e qyqeve në pyllin e dendur. Është e çuditshme të mësohet se çe shtyu Kryeministrin e Kosovës dhe Liderin e VV-së Albin Kurti, që të bëhet aneks i këtij Koalicioni opozitar shqiptar në Maqedoni, kur dihet se partitë e një shteti tjetër, këtë rast Kosova nuk kanë të drejtë juridike e as kushtetuese të garojnë për pushtet në një shtet tjetër, këtë rast në shtetin e Maqedonisë Veriore?! Ky vendim i Vetëvendosjes për tu bërë tutorë i Besës dhe kundërshtar politik i BDI-së dhe Ali Ahmetit, i dha mundësi partive opozitare dhe mediave pro tyre në Kosovë që automatikisht të dalin në krahun e BDI-së dhe Ali Ahmetit. Në fakt BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti, një veprimtar i dëshmuar i Lëvizjes Ilegale edhe në Kosovë, për më shumë se 20-vite ishte e sulmuar nga ish partitë e dalura nga lufta e Kosovës, si: PDK-AAK-NISMA e LDK, të cilët për dekada ishin në pushtet. Në këto zgjedhje në Maqedoni, ndonëse ata nuk kanë marrë pjesë aktive, vetë fakti se oponoenti i tyre është në krahun e VLEN-it, ata në stilin “Për inatin e vjehrrësh shkojë e fle me mullingjinë“ ata kësaj radhe i kanë dalur deklerativisht dhe me pompozitet në krah BDI-së.

Nëse Vetëvendosje dhe liderët e lartëcekur, kanë vendosur të dalin kundër BDI-së, për shkak të afrisë politike që kanë lideri i sajë Ali Ahmeti me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, mendoj se i ka bërë hesapet gabim, sepse Vetëvendosje në bazamentin e saj si subjekt politik
ështe identifikuar me programin për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë , prandaj në këtë Maratonë politike, ajo do të duhej të bashkëpunonte ngushtë me shqiptarët në Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi, pa tendenca ndarje e diferencime politike. Poashtu nëse Vetëvendosje si parti në pushtet dhe më e madhe në Kosovë, do të duhej ti vëjë me kujdes gishtin kokës, dhe të pyes veten se a e ka vlejetur të bëhet pjesë e zgjedhjeve më herët në Shqipëri, dhe a e VLEN tash të bëhet pjesë e Zgjedhjeve në Maqedoni, kru dihet se shancat për debakël i ka të sigurta. A e kanë diskutuar Liderët e VV-së, Këshilli i saj i Përgjithshëm dhe antarësia e gjerë se kjo mendësi politike do të rrezikonte zbehjen e imazhit politik të VV-së tek anëtarët, tek simpatizantët e sajë të shumtë në Kosovë dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë në fushata elektorale të gabuara politke ku humbja e saj do të jetë e turpshme.
Dhe krejtë në fund, fitorja aq e madhe e pritur e Frontit Europian, e BDI-së dhe e Ali Ahmetit në zgjedhjet e 24 prillit dhe të 08 majit 2024 në Maqedoni, do të nxjerrë në pozitë qesharake Vetëvendosjen, anëtarët dhe simpatizantët e sajë, të cilët janë edhe miq e bashkëluftëtar të ALI AHMETIT dhe përkrahës të BDI-së, e mbi të gjitha, do të nxjerrin fitues moral pa meritë, PDK-në dhe mediat e ish pushtetit në Kosovë, kundërshtarët strategjik të BDI-së dhe të VV-së. Nuk duhet harruar poshatu se me këtë humbje, pa pikë nevoje të VV-së në Maqedoni, do të ketë efekt domino edhe në Kosovë, sepse nuk duhet harruar se ata ish veprimtar të LPK-së dhe luftëtar të UÇK-së nga Kosova, që janë anëtar të VV-së dhe në krah të Ali Ahmetit e BDI-së në Maqedoni, e nuk e kanë pritur një ndarje të tyre politike dhe meqë kanë ndikim të madh politik dhe organizativ në VV, do të kenë ndikim edhe fatin e sajë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Mr.sc. Metush Zenuni, anëtar i VV-së/ 22.04.2024, Zvicër

Advertisement