Connect with us

Shkrime

Kryeministri pati një rast të mirë…

Nga Artan Xh. Duka

Kryeministri pati një mundësi të mirë gjatë intervistave të fundit me gazetarët grek për të tërhequr disa paralele aktuale dhe historike të vlefshme si për kontekstin e intervistave në fjalë por dhe për të “ulur” njëherë e mirë me këmbë në tokë qasjen e bisedimeve me fqinjin grek.

Qasja kyçe në marrëdhëniet me jashtë është reciprociteti por ndërkohë, në lidhje me fqinjët që përfituan prej padrejtësive historike që Europa e vjetër kreu ndaj nesh, është detyrim historik e kombëtar që edhe politika zyrtare shqiptare t’i theksojë pa ngurrim e pa komplekse kudo e kurdo këto padrejtësi sa kohë shpërfillen e nuk ka reflektim real.

Paqja në gadishullin Ilirik bazohet në reflektimin e duhur ndaj këtyre padrejtësive prej fqinjëve tanë. Kjo nuk ka pse të etiketohet as provokim, as naivitet e as ëndërra në diell sepse nëse mbarë rajoni e ka seriozisht integrimin në BE, atëhere duhet të sillet si BE ku ironikisht bën pjesë edhe Greqia e “fortunave” pafund në gotë ndaj nesh.

Përballë llomotitjeve e gjepurave të stisura të Greqisë dhe hedhjes së “gurave në lumë” prej saj, dalja nga situata nuk është “parkimi i autobuzit në portën” tonë, shfajësimi, sqarimi e mbrojtja deri në lodhje ndaj qiqrave në hell greke por heqja e vijave të kuqe dhe ngritja e argumenteve dhe problemeve reale historike ende “tabu” mes palëve duke hedhur “topin” në portën e tjetrit.

Greqia në avazin e saj gjithnjë e ka bërë dhe vijon të bëjë qimen tra në marrëdhëniet ndaj nesh e në këtë avaz hyn edhe Himara ku me Belerin po përfol edhe kontributin e SHBA e BE në hartimin e një reforme në drejtësi që i vë kufirin tek thana edhe vetë kryeministrit.

Të debatosh e ridebatosh me Greqinë për Himarën është njëlloj si të pranosh që edhe mund të kenë të drejtë(!) duke rënë në kurthin që synon me patjetër t’a shndërrojë Himarën në axhendë e telenovelë pafund.

Himara është pjesë e çmuar e mozaikut të Labërisë, ndaj si vijë e kuqe bën të tepërt e të papranueshme jo vetëm një pyetje gazetari por dhe çdo tentativë për t’a shndërruar Himarën apo sebep tjetër në axhendë fallso për t’u përdorur më pas si “kapak” që varros çështje reale e padrejtësi historike si genocidi në Çamëri, ligji i luftës, të drejtat e çamërve, arvanitasve, shqiptarëve pas 90 etj.

Ngritja e këtyre problemeve nga ana shqiptare e fut në hullinë e duhur komunikimin me palën matanë. Kjo gjë krijon kontekstin e duhur për çdo komunikim paskëtaj, përfshirë edhe intervista si këto të fundit. Pa këtë kontekst, pala greke do të vijojë me avazin e saj dhe marrëdhëniet mes nesh nuk do të jenë të reale duke rënduar harmoninë në rajon.

Çështja kombëtare është përmbi çdo diplomaci e taktika të ditës, llogaritje politike apo marketingu e kredoje me partnerët jashtë. Nuk ia vlen asnjë “medalje” i moderuari, toleranti, mëndjehapuri etj sa kohë çmimi për to është heshtja apo belbëzimi rreth interesit kombëtar.

Nuk janë temat por tonet ato që ngrenë tensionet në rajon

Nuk është moderim shmangja e temave të nxehta por toni me të cilën duhet të përcillen ato. Edi Rama mund të ndihmonte më tej veten por dhe vetë gazetarin në të ardhmen nëse do të citonte më shumë histori gjatë intervistave në fjalë. Përmëndi ligjin e luftës por ka më shumë se kaq.

Fundja, para se të bëhet një pyetje për mësimin në greqisht në Himarë, nevojiten përgjigje për një mal me pyetje për padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar në Greqi, një ftesë e sfidë kjo për median serioze dhe profesionale greke, mendimin intelektual grek për të hulumtuar e reflektuar më pas.
Ndonse në intervistë pyetjet i bën gazetari, i intervistuari gjithnjë ka mundësinë që në mos të kundër-pyesë, të përgjigjet duke prekur çështje që gazetari mbase edhe dëshiron t’u bëjë bisht.

Nëse ka kohë për rrëfime personale e ironi ndaj së shkuarës, ka kohë edhe për të vërteta shekullore që Greqia injoron.
Çamëria me toponimet e historinë e saj, ligji i luftës, arvanitasit, genocidi ndaj popullsisë çame, rikthimi i eshtrave të ushtarëve grekë etj, janë “elefanti në dhomë” kur vjen puna tek marrëdhëniet me Greqinë. Nuk kanë pse të mbeten tema tabu por përkundrazi duhet të jenë fjala e parë në çdo takim me fqinjët sepse e ardhmja nuk bëhet mbarë pa reflektuar për të shkuarën të mbushur me drama plot.

Kryeministër, politikanë, kryebashkiakë, gazetarë etj vijnë nga matanë për një gjë të stisur si helenizmi në Himarë ndërkohë që në 30 vjet demokraci, nuk mbahet mënd që një politikan e shtetar i yni, privatisht apo zyrtarisht, me kamera e shpurë gazetarësh rrotull apo tek-pull për pushime verore, të ketë dalë një vizitë nga bashkëkombasit tanë matanë në viset çame dhe arvanitase atje. Arbëreshë nuk ka vetëm në Itali!

Një mungesë kjo totale reciprociteti dhe dinjiteti njëkohësisht dhe që ngre hamëndje plot. Nuk i pengon kush në kufi por dhe nëse ndodh, do të ishte sërisht kryelajm në vetvete që gjeneron po aq publicitet në BE e më tej. Por deri atëhere, le t’a fillojnë me një kurorë respekti në Kllogjer. Është këtej kufirit.

Të vërtetat duhen shqiptuar sepse tensionet në rajon nuk i provokojnë temat por tonet si shtjellohen ato dhe këtu hyn dhe arti i politikës dhe komunikimit modern. E ardhmja në paqe zë fill tek paqja me të shkuarën dhe ndërsa Greqia e stisjeve pafund ndaj nesh është BE, ne nuk kemi përse të jemi më europian se vetë europianët e BE ku nacionalizmi jo vetëm nuk është fjalë e ndaluar por dhe ndikon në politikat e BE.

Nuk është punë kufijsh sepse shtëpia e shqiptarit tanimë është bota mbarë. Është punë respekti ndaj vetvetes, heronjve që sakrifikuan gjithshka, atyre që nuk janë më dhe vuajtën kalvarin e padrejtësive e mizorive pafund, dinjitetit kombëtar që nëse i përvidhemi atij ne vetë të parët, atëhere fqinji fillon e beson vërtet se ka të drejtë dhe bota nga ana e saj… ajo rri e vështron. Se kur nuk ndjehet i zoti…!

Rrugëtimit drejt BE nuk i dihet orari dhe kur të vijë dita mbase jo gjithshka do të jetë rozë. Kemi në dorë ndërkohë që të krijojmë “BE” e vogël brënda nesh. Por këtë t’a bëjmë me dinjitet duke nderuar të vërtetat historike pavarësisht reagimeve të dikujt në BE.

E vërteta i çliron të gjithë dhe fillohet duke e zënë me gojë atë. Sa për integrimin në BE, le të jetë një bonus. Kurdo që të ndodhë, nëse ndodh, të ndodhë si duhet.

Advertisement