Politike
Kryeministri: SPAK nuk është Vatikani, pse s’ka urgjencë për krimin monstruoz të 21 janarit

Duke komentuar arrestimin e Erion Veliajt, kryeministri Rama u ndal edhe tek çështja e 21 janarit duke pyetur se përse SPAK nuk ka urgjencë për këtë çështje. Shefi i qeverisë thotë se ka ikur koha kur qeveria kontrollonte drejtësinë dhe sot vetëm një idiot mund të thotë se SPAK është vegël e PS.
“Ca më kërkoni mua për 21 janarin, ca duhet të bëj unë për 21 janarin. Tani vetëm duhet të jesh idiot, lagësirë me dy këmbë që të vazhdosh të thuash që SPAK e kontrollon Rama. SPAK bën një politikë të caktuar në kuptimin e vendimmarrjeve të tij, por nuk është vegël e askujt kjo është shumë e qartë. Kërkojani SPAK 21 janarin. Më thoni mua prapë erdhi 21 janarin, hipokrizi. E premtova që nuk ikën, dhe po ua them që nuk ikën pa u ndëshkuar, se nuk jam unë që e bëj ndëshkimin. 21 janari është nga ato çështje ku drejtësia vonon por nuk harron, urgjencë për të paraburgosur kryetarin e bashkisë pse s’ka urgjencë për 21 janarin, për krim monstruoz, janë vrarë 4 njerëz. Ca tu them unë, ca duhet të bëj unë. Ka vdekur ajo kohë kur partia e kryeministri kontrollonin drejtësinë dhe merrnin në mbrojtje të gjithë horrat. Hidhni përpjektë thoni ç’të doni, kjo është e vërteta historike”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje sot kritika të forta ndaj SPAK dhe drejtësisë pas 5 vitesh pune, duke thënë se Prokuroria e Posaçme nuk është Vatikani. Madje sipas tij edhe Vatikani kritikohet ndonjëherë.
Ai vuri në dukje precedentin se si hetuesit e SPAK i marrin njerëzit në rrugë dhe i rreshtojnë në Prokurori, përfshi edhe një grup biznesmenësh, pa pasur prova të qarta.
“Si mund të merren njerëzit e të bëhen intimidime, insinuata, të rreshtohen, i marrin në rrugë. Mendoni veten tuaj, t’ju ndalojnë në rrugë, t’ju marrin telefonin. Vetëm drejtësia mund të hyjë sipas procesit, jo siç i ndodhi atij personit që iu prish jeta. I thuaj më thuaj këtë, që të mos them unë këtë.
SPAK nuk është Vatikani, edhe Vatikanin e kritikojnë, në kuptonin kulturor dhe historik, që bëjnë edhe gabime. Por këta 5 vjet kanë, është e domosdoshme të dëgjojnë kritika, jo sulme personale, armiqësore apo intimidim. Si mund të merren sipërmarrësit dhe të çohen radhë atje në SPAK, të rreshtohen”, u shpreh kryeministri.

