Connect with us

Rajon

Kryeministrja serbe për Radojiçiçin: Do t’i hetojmë të gjitha rrethanat

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë se Serbia do t’i hetojë të gjitha rrethanat, në të cilat ka ndodhur sulmi ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, teksa ka folur për politikanin dhe biznesmenin Millan Radoiçiç, i cili e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtyre sulmeve.

“Ky është shtet ligjor dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, për t’i hetuar të gjitha rrethanat dhe për të vepruar siç parashihet”, ka thënë Bërnabiq për Televizionin serb Prva.

Ajo ka theksuar se, “nuk e arsyeton” vrasjen e askujt, dhe as vrasjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, mirëpo ka thënë se serbët në Kosovë janë duke vuajtur nga presioni i vazhdueshëm nga autoritetet e Prishtinës, prandaj ka qenë “çështje ditësh, çështje minutash”, deri tek incidenti.

Bërnabiq, megjithatë, nuk ka përmendur dëshmi për presionin e pretenduar.

Ajo ka vlerësuar se autoritetet në Serbi duhet “të mbledhin dëshmi dhe ta mbrojnë të vërtetën absolute”, para takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 18 tetor.

Sipas agjendës së Këshillit të Sigurimit, në raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, do të vlerësohet edhe puna e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiç, është marrë në pyetje më 3 tetor, katër ditë pasi e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Ai është liruar nga mbajtja më 4 tetor.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.

Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut nga arratisja.

Radoiçiçi akuzohet në Serbi për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.

Radoiçiqi e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve.

Me vendimin e 4 tetorit, Radoiçiçit i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

Kosova e ka bërë fajtore Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilin e ka konsideruar “akt terrorist”.

Serbia e ka hedhur poshtë një gjë të tillë./rel

Advertisement