Connect with us

Aktualitet

Kryetari i Shoqatës “Vatra e shqiptarëve” në Stamboll: Situata është aktualisht e tensionuar

Kryetari i Shoqatës “Vatra e shqiptarëve” në Stamboll, Bora Zukali ka folur sot lidhur me protestat që po zhvillohen aktualisht në Turqi. Zukali u shpreh për Syri Tv se situata në Stamboll është aktualisht e tensionuar. Ai u shpreh se në protestë ka shumë qytetarë të pranishëm por shumica e protestuesve janë studentë.

Bora Zukali: Situata është e tensionuar çdo sekondë. Studentët po marrin pjesë në këto protesta. Shumë qytetarë kanë marrë pjesë dhe në kryeqytetin e Stambollit. Situata do rëndohet më shumë sepse 6 persona janë hetuar dhe janë aktualisht në komisariatet e policisë. Nëse këto persona dërgohen për tu gjykuar situata do tensionohet edhe më shumë. Këta persona kanë kryer korrupsion dhe kanë abuzuar me tenderat dhe buxhetin e bashkisë. Në këto 6 persona janë kryetari dhe nënkryetari i bashkisë së Stambollit, një sekretar dhe drejtorë. Edhe problemi i diplomës ende vazhdon.

Autoritetet turke kanë arrestuar ditën e sotme rivalin kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu, nën dyshimin për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist. Partia kryesore opozitare e ka cilësuar arrestimin e tij “tentim për puç kundër presidentit tonë të ardhshëm”. Arrestimi i Imamoglut kryetarit të njohur të Stambollit vjen në një kohë kur shumë figura opozitare janë ndaluar në gjithë vendin, gjë që është cilësuar nga shumë si përpjekje e politizuar për t’i heshtur kundërshtarët.

Arrestimi i Imamoglut ndodhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit e shfuqizoi diplomën e tij, vendim i cili, nëse konfirmohet, do ta pengonte atë të garojë në zgjedhjet presidenciale. Zyra e guvernatorit të Stambollit ndaloi të gjitha tubimet dhe protestat në qytet për katër ditë.

Pavarësisht këtij vendimi në Stamboll sot kanë shpërthyer protestat, ku pjesëmarrës janë dhe studentët e Universitetit të Stambollit. Policia u përpoq të bllokonte marshimin, por mijëra protestues duke brohoritur pro-demokracisë, arritën të thyenin bllokadën e policisë. Jashtë portës kryesore, studentët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike.  Policia turke ndaloi protestuesit para Shkollës Ekonomike. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët deklarojnë se do të vijojnë protestat e tyre.

Advertisement